Vllaznia e ka gjetur trajnerin për sezonin e ardhshëm. Në stol do të ulet i njohuri, Hasan Lika, që ka pranuar ta drejtojë ekipin në Kategorinë e Parë.
Detyra e re do të jetë prestigjioze, pavarësisht kategorisë. Hasan Lika ka zgjedhur Vllazninë për ta drejtuar sezonin e ardhshëm, po ashtu shkodranët janë bindur se tekniku tiranas do të ishte mundësia më e mirë.
Skuadra nga Shkodra u rrëzua në Kategorinë e Parë në fund të sezonit të kaluar, një dramë e vërtetë, veçse synimi është për të kopjuar Tiranën e për t’u kthyer shpejt në Superligë.
Lika e ka pohuar vetë arritjen e marrëveshjes, ndërsa pritet vetëm fillimi i punës.
Sezonin e kaluar, ai drejtoi me sukses Luftëtarin, duke e kualifikuar për në Ligën e Europës për herë të parë në histori, e duke dhënë një futboll të nivelit të lartë.
Në mënyrë të habitshme, Likës nuk iu rinovua kontrata për sezonin në vazhdim.
Vllaznia pati edhe vjet një trajner nga Tirana, Ernest Gjokën, që zëvendësoi Armando Cungun e dorëhequr, por nuk qe e mundur që skuadra më e vjetrër e futbollit shqiptar të mbijetonte në Superligë./abcnews.al