Hasan Lika është trajneri i ri i Vllaznisë

schedule16:35 - 12 Gusht, 2018

schedule 16:35 - 12 Gusht, 2018

Vllaznia e caktoi më në fund trajnerin e saj të ri. Hasan Lika ishte kandidatura fituese pas një gare me konkurrencë të fortë.

Enigma u zgjidh dhe drejtuesit vendosën. Vllaznia e gjeti trajnerin e ri dhe ai nuk është aspak një emër i ri e i panjohur në futbollin shqiptar, përkundrazi, quhet Hasan Lika. Specialisti tiranas kishte kohë që përflitej si i përzgjedhuri i shkodranëve, dhe u konfirmua nga klubi, pas një procesi me konkurrencë të fortë, me rivalë të tillë si Edi Martinin, Dervish Haxhiosmanoviçin apo turkun Ergin Firat.

Ky i fundit u emërua në postin e drejtorit teknik, bazuar në përvojën e gjatë me klube në Iran, Turqi, Shtetet e Bashkuara apo Gjermani.
Lika pritet të prezantohet këtë fillim jave dhe të nisë punën menjëherë, pasi Vllaznia duhet të jetë gati për nisjen e kampionatit të Kategorisë së Parë, që bëhet në 9 shtator.

Hasan Lika drejtoi Luftëtarin në pjesën më të madhe të vitit të kaluar sportiv, duke dhënë futboll spektakolar e duke i kualifikuar gjirokastritët në Ligën e Europës, për herë të parë në historinë e tyre. Vllaznia, ndërkaq, skuadra më e vjetër në Shqipëri, u rrëzua nga Superliga në përfundim të edicionit të vjetshëm, duke shkaktuar një tronditje të madhe, të ngjashme me atë të Tiranës një vit më parë.

E drejtuar nga trajnerë të njohur si Ernest Gjoka e më parë nga Armando Cungu, Vllaznia nuk ia doli të kapërcente problemet që, sipas shumë analistëve, erdhën nga zotërimi i aksioneve prej Bashkosë së Shkodrës. Klubi besohet se është në proces privatizimi, por deri tani nuk ka ndodhur asgjë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!