Harta Gjyqësore, avokatët shtrijnë “revoltën” edhe në Kurbin

schedule10:36 - 22 Qershor, 2022

schedule 10:36 - 22 Qershor, 2022

Ashtu sikurse paralajmëruan ditën e djeshme, avokatët e kanë shtrirë “revoltën” e tyre edhe në Kurbin.

Para Gjykatës së Kurbinit, avokatët kërkojnë rishikimin e reformës që mbyll Gjykatën e këtij rrethi, i cili ka 90 mijë banorë.

Pjesë e protestës janë edhe deputeti i PD-së, Kastriot Piroli dhe Elda Hoti.

Kryetari  Dhomës së Avokatisë në Lezhë, Elton Laska, i bëri thirrje instancave që t’i kërkojnë KLGJ të ndryshojë hartën gjyqësore.

Laska: Protesta e sotme e thirrur nga Dhoma e Avokatisë Lezhë ishte një protestë qytetare ku u dhanë të gjitha argumentet dhe kërkesat se përse harta e re gjyqësore duhet të ndryshojë. Duhet të ndryshojë dhe të vendoset qëndrimi i gjykatës së rrethit gjyqësor Kurbin, si një e drejtë legjitime dhe një e drejtë e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare për aksesin në Gjykatë. Duke e ditur që Gjykata e rrethit gjyqësor Kurbin ka të gjitha ambientet dhe potencialin për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e rregullt të të gjithë proceseve gjyqësore ne e kemi ngritur këtë kauzë dhe kërkesë duke i bërë thirrje qytetarëve që të reagojë. I bëjmë thirrje edhe një herë të gjitha instancave qendrore të marrin masa dhe t’i kërkojnë KLGJ-së ndryshimin e kësaj harte gjyqësore.

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi hartën e re gjyqësore më 10 qershor. Tashmë vendi do të ketë 13 gjykata të shkallës së parë, 1 gjykatë Administrative dhe 1 gjykatë Apeli.

KLGJ ka miratuar draftin i cili pritet që të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!