Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar Tropojën. Në sheshin kryesor të qytetit, Haradinaj u prit nën ritmin e tupanëve e valltarëve nga Kryetari i Bashkisë Rexh Byberi.
Haradinaj dhe Byberi vendosën lule tek busti i Bajram Currit në qytet. Më tej, kreu i AAK u prit nga familje të dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së nga Tropoja. I pari e mori fjalën kryetari i bashkisë Rexh Byberi i cili foli për kontributin e Tropojës në pritjen e vëllezërve kosovarë dhe në mbështetjen e UÇK-së për të cilën dhanë jetën shumë djem të Tropojës.
Haradinaj dekoroi disa kontribuues të UÇK-së dhe Bashkinë Tropojë për ndihmën që ata dhanë në pritjen dhe mbajtjen e shqiptarëve të Kosovës për një vit nga qershori 1998 në 1999.
U dekoruan Tahir Sinani, Bylbyl Breçani dëshmor dhe Ismajl Buçpapaj gazetar i luftës, gjithashtu u dekorua edhe Unioni Artistik i Kombit Shqiptar për kontributin mbarëkombëtar. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u takua edhe me punonjësit e Spitalit të qytetit të cilët i falënderoi për ndihmën e dhënë për të plagosurit e UÇK-së në vitin 1999.
Më këtë rast, ai dekoroi dhe kirurgun Sokol Sula pas vdekjes. Haradinaj vizitoi edhe kullën patriotike të Binak Alisë në fshatin Bujan dhe vendosi kurora në lapidarin e Gashit, në respekt të luftërave patriotike që ka bërë kjo zonë. /abcnews.al/