Haradinaj-Stublla dhe Cakaj: Serbia të ndalë fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës

schedule21:01 - 22 Nëntor, 2020

schedule 21:01 - 22 Nëntor, 2020

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla përmes një deklarate të përbashkët kanë shprehur shqetësimin e thellë lidhur me procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në këtë deklaratë ministrat shqiptarë shprehen se fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është duke krijuar jo vetëm një pasqyrë krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike të atyre hapësirave dhe të numrit të shqiptarëve në Serbi, por edhe duke shkelur rrënjësisht të drejtat e liritë themelore të tyre, përfshirë të drejtën e votës.

Ndër të tjera Cakaj dhe Haradinaj-Stublla ju bënë thirrje institucioneve përkatëse ndërkombëtare, veçanërisht Komitetit Këshillues të Konventës në Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve të Këshillit të Evropës dhe Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Minoritetet Kombëtare, për ta përcjellë këtë proces me vëmendje të shtuar dhe për të vepruar për parandalimin e këtij procesi me pasoja afatgjata politike, shoqërore dhe institucionale, ndaj të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Serbi

Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë mbesin të përkushtuara për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe besojnë thellësisht në të ardhmen evropiane të gjithë Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, duhet theksuar se kjo para së gjithash nënkupton njohje të ndërsjellë, trajtim të barabartë dhe respektim të plotë të standardeve demokratike”, përfundon deklaratën e përbashkët e ministrave./abcnews.al