Haradinaj reagon ndaj Mogherinit

schedule11:03 - 13 Mars, 2019

schedule 11:03 - 13 Mars, 2019

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj reagoi ndaj deklaratave të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, e cila apeloi sërish për heqjen e taksës për produktet serbe.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka thënë përfaqësuese së Lartë të BE-së, Federica Mogherinit, se dialogu ka ngecur shumë kohë para se të vendosej taksa ndaj mallrave serbe. Sipas tij, procesi i dialogut nuk duhet të ndërlidhet me taksën.

“Dialogu kishte ngecur shumë kohë para se të vendosej taksa. Mungesa e transparencës, inkurajimi për shkëmbim territoresh dhe dështimi për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese, këto janë arsyet. Dialogu mund dhe duhet të vazhdojë pa e ndërlidhur atë me taksën”, ka shkruar Haradinaj në Twitter.

Mogherini tha dje në New York se dialogu mund të vazhdojë vetëm duke e anuluar vendimin për vendosje të taksës ndaj mallrave serbe. Heqjen e taksës e ka kërkuar edhe drejtori për çështje politike në ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore. Ai ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj dhe delegacionin shtetëror të Kosovës.

Serbia nuk po pranon të vazhdojë dialogu pa u hequr taksa ndaj produkteve serbe. Presidenti i  Serbisë, Aleksandër Vuçiç listës së  pengesave për vazhdimin e dialogut ia ka shtuar edhe platformën për dialog me Serbinë që Kuvendi i Kosovës e ka miratuar javën e kaluar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!