Ramush Haradinaj, kryeministër në largim i Kosovës, e cilëson punën e bërë prej qeverisë së tij lidhur me dialogun me beogradin, sfiduese e të frytshme. Në një intervistë për mediat vendase, Haradinaj tha se arriti t’ia hiqte nga duart dialogun Mogherinit, duke shmangur kështu edhe ndarjen e Kosovës.
“Është një qeverisje e sfiduar sepse ne po ashtu arritëm me e heq dialogun nga tavolina e Mogherinit ku ishte një dialog i ndarjes me kalu te tavolina e kancelares Merkel dhe te Presidenti Trump e Macron. Pra bëmë një ndryshim të madh përmbajtësor e kundërshtuam dhe e penguam ndarjen dhe këto janë disa momente kyçe të qeverisë sonë. Qverisje e cila kur i shtojmë pakon ligjore prej kodit penal dhe gjitha ligjet e tjera për konfiskim të pasurisë dhe konflikt interesi dhe plot ligje që janë me të vërtetë me rëndësi për vetë zbatimin e ligjit në Kosovë, e bën atë një periudhë dinamike”, tha Haradinaj.
Haradinaj u ndal edhe tek çështja e liberalizimit të Vizave, duke u shprehur se ndonëse me vonesa, ky proces është në rrugë të drejtë. Ndërsa u shpreh krenar për miratimin e Ligjit për Trepçën, duke thënë se ky gjigant metalurgjik, tashme i përket vetëm Kosovës.
“U vonua liberalizimi, por ende kemi mundësi të marrjes së vendimit. Pastaj me rëndësi ishte edhe çështja e ushtrisë sonë dhe ligji për ushtrinë si ligji për shërbimin ushtarak ligji për ministrinë e mbrojtjes dhe ligji për mandatin e ushtrisë që është mandat me e mbrojt Kosovën dhe formimi i ushtrisë është një arritje e madhe për Kosovën dhe siguroi që kjo është e përjetshme. Po ashtu ishte edhe ligji për implementimin e ligjit për Trepçën ligji për Trepçën ishte votua në parlament po nuk zbatohet për shkak të vështirësive e pengesave që u hasshin kuptohet pse. Tani Trepça dhe çdo pasuri tjetër e Kosovës është vetëm e Kosovës dhe nuk ka palë të dytë apo të tretë që pretendon që ka hise në resurset tona”, deklaroi Haradinaj.
Qeveria Haradinaj u votua më 9 shtator të vitit 2017, ndërsa për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, Ramush Haradinaj më 19 korrik 2019 dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit te vendit./abcnews.al