Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç që të mos përdorë retorikën e tij që Prishtina duhet të falë diçka në këmbim të njohjes së pavarësisë. Gjithashtu I bëri thirrje liderëve botërorë që të mbështesin Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu gadishmërinë e qeverisë së tij në procesin për pajtim me Serbinë, por nënvizoi se njohja reciproke mes Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të bëhet mbi ndonjë pazari të ri. Ai në tubimin përkujtimor me rastin e 19 vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe, iu përgjigj presidentit Aleksandër Vuçiç rreth kërkesës së tij se Kosova duhet të humbasë diçka në mënyrë që Serbia të njohë pavarësinë.
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: “Paqja arrihet duke njohur dhimbjen e tjetrit. Jemi të interesuar për paqe por nuk kemi çfarë të japim më për liri se ata që i kemi dhënë e që janë në tokë dhe ata që i kemi të zhdukur. Kosova vërtet është e interesuar për paqe, por njohja reciproke nuk mund të bëhet mbi ndonjë pazari të ri. Ka ardhur koha të ecim përpara, por jo duke harruar, harresa na bënë dëm”.
Më tej Haradinaj foli për ndihmën e NATO-s për çlirimin e Kosovës. Gjithashtu i kërkoi presidentit amerikan, Donald Trump, kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel dhe kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May që të ndihmojnë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euroatlantike./abcnews.al