Kryeministri i Kosovës, Haradinaj edhe njëherë është shprehur kundër idesë së rishikimit të kufijve me Serbinë. Këtë propozim ai e konsideroi si lojë të rrezikshme. Gjithashtu theksoi se Presheva do të jetë gjithmonë në vëmendje të qeverisë së tij.
Qeveria e Kosovës zhvilloi një mbledhje për 1-vjetorin e formimit të saj. Pas punimeve, kryeministri Ramush Haradinaj doli në një konferencë për shtyp, ku komentoi përsëri çështjen e korrigjimit të kufijve, që kërkohet nga presidenti Hashim Thaçi, i cili e konsideron si zgjidhje për dialogun me Serbinë.
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: “Unë nuk kisha avancuar më shumë në këto rrethana. Është eksperiment i rrezikshëm puna e kufijve. Sa herë janë hap temat e kufijve, nuk është ditur kurrë kur do të mbyllen. Kosova nuk e ka luksin për të folur për këtë, kjo temë nuk dihet kur përfundon dhe kush përfiton nga kjo”.
Ai u pyet nga gazetarët edhe nëse do të zhvillojë ndonjë vizitë në Preshevë. Përgjigja e tij ishte kjo:
“Si Ramush Haradinaj ndoshta po, si kryeministër nuk e di”.
Më tej, ai tha se qeveria e tij do ta mbajë gjithnjë vëmendjen tek Lugina e Preshevës, pasi sipas tij kjo përcaktohet edhe tek kushtetuta e Kosovës. Ndër të tjera, Haradinaj foli edhe për Liberalizimin e vizave, ku nënvizoi se dhe kjo temë mbetet prioritet për ekzekutivin e tij. /abcnews.al