Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj edhe njëherë ka saktësuar se nuk do të diskutojë lidhur me temën e rishikimit të kufijve. Nga ana tjetër, presidenti Thaçi vijon të mbështesë idenë e tij duke thënë se thirrjet për luftë i takojnë shekullit të kaluar.
Vijojnë në Kosovë përplasjet e ashpra mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi lidhur me fazën finale të dialogut me Beogradin. Shefi i qeverisë kosovare ka bërë me dije se do të largohet nga çdo tavolinë që do të flitet për kufijtË e vendit.
“Unë ju siguroj që pozicioni im është i qartë në atë moment që hapet kjo temë, nuk jam më në atë tavolinë”, u shpreh Haradinaj.
Pavarësisht se ai thotë se nuk ka pasur përplasje në takimet mes liderëve, deklaratat e Haradinaj dhe Thaçit tregojnë të kundërtën. Presidenti kosovar vijon të mbështesë idenë e tij për korrigjim të kufijve dhe nënvizon në një mesazh në Facebook se të gjithë aleatët perëndimor janë angazhuar në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion”, shkruan Thaçi.
Ndërsa më tej nënvizon se “thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”.
Ndërkohë, reagimi i presidentit Thaçi erdhi pas atij të kryeministrit, Ramush Haradinaj i cili tha se diskutimi mbi kufijtë është “ftesë për tragjedi të reja në Ballkan”./abcnews.al