Haradinaj “mbron” deklaratat e bëra pas samitit të Berlinit

schedule16:41 - 2 Maj, 2019

schedule 16:41 - 2 Maj, 2019

Edhe njëherë më shumë kryeminsitri i Kosovës Ramush Haradinaj ka këmbëngulur në të vërtetën e tij. Sipas të cilës në samitin e Berlinit kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i kishin bërë presion për heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u qëndron fort deklaratave të tij se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në samitin e Berlinit i kishin bërë presion më shumë se ndërkombëtarët për heqjen e taksës.

Madje disa media kanë raportuar se në pauza të takimeve në samit është dëgjuar Haradinaj ti ketë thënë Ramës që të mos përzihet në cështje të brendshme të Kosovës.

Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së sotme të qeverisë Haradinaj i është kundërpërgjigjur reagimit të kryeministrit Rama, i cili kishte thënë se Haradinaj do të duhej të ishte më i kujdesshëm të mos i komentoj në publik bisedat informale e aq më tepër t’i shtrembëroj ato.

Ai ka thënë se i pëlqeu dikujt ose jo gjithmonë do ta tregoj të vërtetën.

“Do t’ua tregoj të vërtetën edhe kur ju pëlqen edhe jo, do ta bëjë dhe në të ardhmen. ‘Rrno për me tregu, ka thënë At ZefPllumi’”.

Ndryshe sipas Haradinajt Samiti i Berlinit qartësoi se më nuk do të diskutohet për kufijtë dhe taksën.

Nuk është hera e parë që kryeministrat e dy vendeve replikojnë mes vete për cështjen e Kosovës. Përplasje verbale ata kishin pasur edhe pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive që u mbajt në fund të vitit të kaluar në Pejë. /ABC News Albania 24/7