Haradinaj: Kurti të tërhiqet nga sjelljet kundër Kushtetutës

schedule11:26 - 9 Prill, 2023

schedule 11:26 - 9 Prill, 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në 15-vjetorin e Kushtetutës së Kosovës, është shprehur se Kushtetuta është motori i demokracisë dhe zhvillimit.

Haradinaj ka ftuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajë sigurinë juridike.

“Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, ditën e miratimit të Kushtetutës. Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancin e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit. Kjo Kushtetutë është motori i demokracisë dhe zhvillimit por edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me apetite të autokracisë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike.  Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës. Urime dita e miratimit të Kushtetutës!”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!