KOSOVË- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar vëllain e tij, heroin e kombit Luan Haradinaj në 26-vjetorin e rënies. Në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe më 6 maj 1997, ra heroikisht në kufirin shqiptaro-shqiptar ushtari Luan Haradinaj.
“Luan, 26 vjet më parë fitove përjetësinë, pikërisht në ditëlindjen e nanës Rukë. Heroizmi, krenaria e liria që e gëzojmë, gjithmonë do të mbizotërojnë mbi dhembjen”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me vëllanë Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.
Bashkërisht kishin arritur sipër fshatit Larë, i cili ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi ra në një pritë të ushtrisë jugosllave.
Në këtë pritë u vra Luan Haradinaj, u plagos Rafet Rama, Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit të vendit, trupi i tij u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në vendlindje, në Gllogjan, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.