Haradinaj: Kosova ka duruar mjaftueshëm

schedule13:38 - 22 Nëntor, 2018

schedule 13:38 - 22 Nëntor, 2018

Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbrojtur vendimin e qeverisë për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, duke theksuar se Kosova ka duruar mjaftueshëm. Ai shtoi se mund të flitet për heqjen e taksës pasi Serbia të ketë plotësuar disa kushte.

Serbia fillimisht duhet të plotësojë disa kushte nëse do të flasë për heqjen e taksës prej 100 për qind. Është ky qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta për vendimin që qeveria e drejtuar prej tij,  mori një ditë më parë. Në një intervistë për mediat kosovare, i pyetur në lidhje me reagimin e presidentit serb, Vuçiç, i cili mblodhi ambasadorët e huaj dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Serbi pas vendimit të qeverisë kosovare, Haradinaj tha se kjo taksë nuk hiqet pa u ndalur agresiviteti i Serbisë.

Sa u përket presioneve që mund të vijnë nga ndërkombëtarët, kryeministri i Kosovës theksoi se Kosova “ka toleruar mjaftueshëm” dhe ka pritur nga BE-ja që të ndalojë agresivitetin e Serbisë por kjo nuk ka ndodhur. Madje ai ka thënë se edhe dialogu mes dy vendeve nuk duhet të vazhdojë nëse Serbia nuk e respekton Kosovën.

Haradinaj theksoi se vendimet e marra nga qeveria e tij janë vendime sovrane të Kosovës. Kreu i ekzekutivit tha se i mirëpret presionet, Kosova nuk ka ku të shkojë deri në momentin që të tjerët duan të mbajnë gjendjen e konfliktit të ngrirë. Haradinaj u shpreh se Kosova ka toleruar shumë gjëra me shpresën që bashkësia ndërkombëtare do ta gjejë një zgjidhje, por kjo nuk ka ndodhur. Në këmbim ka pasur vetëm agresivitet, përfundoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!