Haradinaj: Gati të bashkoj votat me LDK për zgjedhje të reja

schedule11:13 - 4 Prill, 2018

schedule 11:13 - 4 Prill, 2018

Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës, është shprehur i gatshëm për të bashkuar votat me partinë në opozitë Lidhjen Demokratike të Kosovës, për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend.

Kryeministri i Kosovës, gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, u shpreh se koalicioni qeverisës mbështet kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, për zgjedhje të reja në vend. Madje ai shtoi se partia e tij Aleanca për ardhmërinë e Kosovës, do të jepte dhe votat e saj.

Kërkesa e Lidhjes Demokratike e Kosovës për zgjedhje të reja erdhi si pasojë e zhvillimeve të fundit në vend, ku u arrestuan dhe u deportuan 6 shtetas turq nga Kosova. Por nga ana tjetër Vetëvendosje dhe partia Demokratike e Kosovës e kanë cilësuar si jo serioze këtë kërkesë.

I pyetur nga gazetarët për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Burundi, kreu i ekzekutivit kosovar u shpreh se ekziston mundësia e tërheqjeve të njohjeve dhe vendi nuk është i mbrojtur nga ky fenomen.

Duke këmbëngulur se nuk ka qenë në dijeni për rastin e shtetasve turq të deportuar, ai falenderoi ministrin e Brendshëm, aktualisht të dorëhequr për punën e bërë. Haradinaj theksoi se një nga prioritetet e qeverisë së tij është ruajtja e besueshmërisë së institucioneve./abcnews.al