Hapja e negociatave, Michel: Nuk mund ta vë qerren përpara kaut

schedule18:04 - 23 Prill, 2018

schedule 18:04 - 23 Prill, 2018

Belgjika mbështet parimisht hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE, por vendimi përfundimtar do të merret në Qershor. Këtë mesazh përcolli në Tiranë kryeministri belg Charles Michel, që u takua me homologun Edi Rama dhe autoritete të tjera politike.

E dha dhe e mbajti fjalën kryeministri i Belgjikës. Charles Michel erdhi të vizitojë Tiranën për të diskutuar prioritetet që e lidhin Shqipërinë me destinacionin europian.

Pas ceremonisë së mirëseardhjen, kryeministri Edi Rama dhe homologu belg patën një takim kokë më kokë, ku renditën jo vetëm bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve por edhe atë të hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Megjithatë vendimin e qeverisë belge kryeministri Michel ia lë Qershorit.

Charles Michel: “Nuk mund të them tani vendim zyrtar, por Belgjika do të shprehet në muajin Qershor. Megjithatë me shumë qartësi them që ne dëshirojmë në një mënyrë apo tjetër të vazhdojmë përpjekjet për afrimin e BE-së me Shqipërinë dhe për procesin e vendimmarrjes në gjirin e BE-së më duhet të respektoj kalendarin e përcaktuar. Nuk mund ta vë qerren përpara kaut”.

Kryeministri Rama përsëriti bindjen se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave.

Edi Rama: “Ne besojmë që qeveria meriton një vendim për të hapur negociatat. Natyrisht jemi të vetëdijshëm që hapja e negociatave nuk është fundi i përpjekjeve tona por është fillimi i një faze të re dhe të gjatë përpjekjesh dhe kemi besim se në këtë përpjekje kemi dhe mbështetjen e Belgjikës, por edhe partnerëve tanë europianë”.

Pyetjes së gazetarëve nëse do të ishte e mundur që me kryetarin e Partisë Demokratike në krah të vzizitonte institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare i dha një përgjigje shtesë krahas asaj të zakonshmes për opozitën, kur flitet anglisht.

Edi Rama: “Ju e dini që unë nuk flas asnjëherë për opozitën në gjuhë të huaj kështu që përgjigja ime shumë e shkurtër është që pyetja juaj nuk ka nevojë për përgjigje pasi do ishte një gjë shumë e vlefshme nëse do të ndodhte”.

Të martën kryeministri belg do të niset drejt Serbisë ku do të takohet me homologen e tij Ana Brnabiç dhe presidentin Aleksandër Vuçiç./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!