Hapja e negociatave, Maqedonia merr dritën jeshile

schedule22:01 - 17 Prill, 2018

schedule 22:01 - 17 Prill, 2018

Pavarësisht progresit të moderuar në përmbushjen e kritereve, Brukseli i ka dhënë rekomandim pozitiv Maqedonisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Kryediplomatja Federica Mogherini ka deklaruar se ky zhvillim duhet të shërbejë si stimul për vijimin e reformave.

Komisioni Evropian rekomandoi zyrtarisht të martën hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë. Brukseli zyrtar vlerësoi me nota pozitive progresin e bërë me kryerjen e reformave, edhe pse në shumicën e rasteve ecuria është konsideruar e moderuar. Në fjalën e saj, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini deklaroi se, marrja e rekomandimit është një inkurajim për vazhdimin e procesit të reformave, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, administratën publike, krijimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik, lirinë e shprehjes, etj. Në të njëjtat linja, komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn ka cituar si të rëndësishme reformën e gjyqësorit dhe zgjidhjen e çështjes së emrit kushtetues me Greqinë. Raporti ka vlerësuar se hapa të moderuar janë bërë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe, pikërisht, në reformimin e gjyqësorit. Ndërsa hapa vendimtarë janë konstatuar në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, mes të cilave spikat marrëveshja me Bullgarinë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!