Hapja e negociatave/Greqia: Kujdes të drejtat e pakicave dhe pronës

schedule13:00 - 18 Prill, 2018

schedule 13:00 - 18 Prill, 2018

Ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia kanë hedhur një hap të rëndësishëm në rrugën e integrimit europian, Greqia fqinje ka nga një apel për të dy vendet. Shqipërise, Athina zyrtare i kujton respektimin e të drejtave të pakicave dhe të pronës. Ndërsa Maqedonisë, Greqia i kujton gjetjen sa më parë të zgjidhjes për çështjen e emrit.

Pas rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave te anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë, ka ardhur edhe një reagim nga Greqia, vend anëtar i Unionit dhe aktualisht në proces bisedimesh me të dy vendet fqinje. Athina zyrtare bën të ditur përmes një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme se punon papushim dhe është e përkushtuar si vend fqinj që të përmirësoje marredhëniet me Tiranën dhe Shkupin. Por teksa Greqia ka peshën e votës së saj në vendimarrjen europiane për Shqipërinë, në deklaratën e Ministrise së Jashtme greke, lexohet si paralajmërim përmendja e respektimit të të drejtave të njeriut.

“Në mënyrë të veçantë në lidhje me Shqipërinë, vendi ynë është i përqendruar në të drejtat e pakicave dhe pronës, si dhe në nevojën për pajtueshmëri të plotë me parimin e ruajtjes së marrëveshjeve dhe në luftimin efektiv të krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës”.

Athina zyrtare bën të ditur se Greqia mbështet zgjerimin e Bashkimit Europian, por me kushtin që Shqipëria dhe Maqedonia të respektojnë ligjet ndërkombëtare dhe marredhëniet e fqinjësisë së mirë si dhe të përmbushin kërkesat e vendosura ndaj tyre si vende kandidate. Edhe më herë zyrtarë të ndryshëm të qeverisë së Athinë, por edhe Presidenti Prokopis Pavlopulos ka paralajmëruar se do të pengohet rruga e Tiranës për integrimin europian nëse nuk plotësohet kërkesa për respektimin e minoritetit grek në Shqipëri. Ndërkohë, sa i përket Maqedonisë, këshilla kryesore e Greqisë është zgjidhja e çështjes së emrit, për të cilin të dy vendet janë në bisedime./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!