Hapja e negociatave/Edith Harxhi: Rama të takojë Macron dhe May

schedule20:52 - 24 Prill, 2018

schedule 20:52 - 24 Prill, 2018

Kryeministri i vendit, Edi Rama do të zhvillojë një takim të mërkurën në Gjermani, ku do të takohet kancelaren gjermane, Angela Merkel. Takimi vjen pas rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

E pyetur në “Provokacija” nga Mustafa Nano nëse vlen një “ofensivë” e palës shqiptare drejt vendeve europiane me synimin që të hapen negociatat në Qershor, drejtoresha e “Albania Policy Center,” Edith Harxhi, është shprehur se kjo nuk vlen në këto momente.

Sipas Harxhit është shumë mirë që kryeministri takohet me Merkel dhe sipas saj duhet të takohet edhe me liderët e tjerë europiane, Macron dhe May.

Mustafa Nano: “Edi Rama do të shkojë të takojë Merkelin dhe Bushati do të ketë disa takime të vetat. Do të ketë një “ofensivë” le të themi shqiptare. Çfarë vlere ka kjo”?

Edith Harxhi: “Nuk ka të bëjë fare ofensiva në këto momente. Unë mendoj që është shumë e mirë që Kryeministri shqiptar takon kancelaren gjermane. Do të doja shumë që ai të takonte dhe presidentin Macron, përpara një vendimi në Qershor dhe kryeministren e Britanisë, Theresa May”.

Më tej, Harxhi shtoi se vendimi i Gjermanisë nuk varet drejtëpërdrejt vetëm nga dëshira e Angela Merkel, por nga vendimi që do të marrë Bundestagu gjerman.

“Dhe Bundestagu gjerman është duke formuluar ose e ka formuluar një qëndrim të caktuar dhe nuk varet shumë vetëm nga fjala e Kancelares Merkel, varet shumë nga grupi i CDU-së gjermane, që përkundër asaj çfarë ndodh sot për shembull në një parti të djathtë, siç është Partia Demokratike, lideri nuk është ai që merr vendimet vetë, por kalojnë të gjitha në një lloj konsultimi të përgjithsshëm me grupin. Pra çështja e Shqipërisë është një dëshirë që është përtej dëshirës së një kancelareje”.

Ndërkohë, Rama do të qëndrojë dy ditë në Gjermani. Në vizitën e tij në ditën e dytë, ai do të bashkëbisedojë në Bundestagun gjerman me Komisionin e Jashtëm të Bundestagut. Ky Komision drejtohet nga Gunther Krichbaum, i cili ditët e fundit ka qenë në qendër të debateve midis kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!