Analisti Mentor Nazarko thotë se personalizimi i votës nëpërmjet listave të hapurqdo të kufizojë ndikimin e kryetarëve të partive.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Nazarko u shpreh se votuesit e rinj të diasporës, mund të zgjedhin figura të reja politike.
“Nëse mund të bëj një vërejtje për projektimin e rezultatit të 2021 tek votimi i 2025: ai nuk mban parasysh faktin që është shtuar votuesi i diasporës. Me atë rezultat të 2021, të shohim shifrat në vlerë absolute: nëse në nivel Shqipërie kanë marrë pjesë 1.2 milion votues, mendojmë se do të ketë 1.4 apo 1.5 milionë. Ka dy faktorë, që e kushtëzojnë atë lloj projektimi. E para, futja e partive të vogla dhe e dyta, futja e diasporës. A do ruajë emigranti të njëjtin preferencë elektorale si familjet e tyre, të afërmit që janë në Shqipëri, apo do të sjellin prirje të reja preferenciale për partitë e vogla? Ajo që është interesante, duket se në një kuptim, këto zgjedhje i ngjajnë atij të Kushtetutës në 1998. Ishin 100 deputetë që zgjidheshin me mazhoritar, dhe mandatet e tjera, me proporcional. Problemi është si do votohet? Do votohet me një fletë votimi?
Nëse ka një emërues të përbashkët të risisë të këtij sistemi hibrid, është fakti që duke u personalizuar vota prej listës së hapur kufizohet ndikimi i kryetarëve të partive. Ky është elementi i parë. Elementi i dytë, rritet mundësia që partitë e vogla të jenë tërheqëse elektoralisht, dhe natyrisht rritet edhe ndikimi i votuesit të diasporës.
Votuesi i diasporës mund të zgjedhë figura të reja. Kjo është interesante.
Një konsideratë për kërkesën e opozitës për amendamentin mbi votimin e diasporës. Cilët janë ata individë që kanë dokumente të parinovuara? Logjikisht janë votues të rinj ne moshë, që i kanë kufizuar marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo është pikëpyetja e parë. Nëse PD ka hallin e dikujt që është votues jo moshë e re, ka paradoks te kjo kërkesa e opozitës. Opozita pretendon se ata që kanë ikur vitet e fundit, pra 8 vjetët e qeverisjes Rama,(4 ishte dhe LSI në bashkëqeverisje) janë votues të saj. Ata që kanë ikur kohët e fundit- logjikisht kanë dokumente të vlefshme ndaj kërkesa, është pa sens imediat. Vetëm nese opozita mendon se rritja masive e pjesëmarrjes favorizon atë, por po sikur me diasporën votuese- të ndodhë e kundërta- të rikonfirmohët prirja elektorale e familjarëve të tyre ketu pro PS?”, theksoi ai./abcnews.al

