Ditën e sotme Kosova ka hapur kufijtë tokësorë. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se do të lejojë liri të plotë të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Shqipërinë. Kështu, prej mëngjesit qytetarët e Shqipërisë mund të kalojnë lirshëm në Kosovë dhe anasjelltas.
Për të parë nga afër situatën, në pikën e Kalimit Kufitar të Morinës ishte ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.
Mësohet se ministri u ka dhuruar maska qytetarëve të Shqipërisë, të cilët zgjedhin të vizitojnë Kosovën. Po ashtu në një prononcim për mediat Zemaj ka bërë thirrje që të respektohen masat e dhënë nga autoritetet kosovare,.
“Ju kisha lutur të gjithë atyre që hyjnë në Kosovë të përçojnë mesazhin e përçimit të masave konkrete të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe ministria e Shëndetësisë dhe nga qeveria e Kosovës”, shprehet ministri.
Kufiri i Kosovës dhe Shqipërisë ishte i bllokuar që prej 14 marsit për shkak të masave të marra nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit. /abcnews.al

