Në ceremoninë e përurimit të Zyrës së Oficerit Ndërlidhës të EUROPOL, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu theksoi se pa bashkëpunim nuk mund të ketë sukses në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
“Bashkëpunimi me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për Policinë e Shtetit është një ndër tre prioritetet kryesore të punës së saj, pasi ne jemi të vetëdijshëm dhe të bindur se lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të ketë sukses sado e zhvilluar të jetë një organizatë policore në rast se nuk bashkëpunon me partnerët.
Krimi i organizuar është i ndërlikuar, i shtrirë në hapësirë dhe s’njeh kufij, ngjyrë apo kombësi dhe për këtë, bashkëpunimi është domosdoshmëri për të përmbushur detyrën më kryesore, krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, biznesin dhe turistë.
Policia e Shtetit është e angazhuar për të kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë publike rajonale dhe më gjerë, nëpërmjet bashkëpunimit me policitë homologe dhe agjencive ligjzbatuese partnere”. /abcnews.al