Hapet në Përmet inkubatori i parë i prodhimeve tipike shqiptare

schedule15:51 - 21 Nëntor, 2018

schedule 15:51 - 21 Nëntor, 2018

Hapet në Përmet inkubatori i parë i produkteve tipike shqiptare, një hapësirë e përbashkët që do t’u shërbejë të gjithë fermerëve të zonës të cilët prodhojnë produktet tipike duke i garantuar aksesin në treg edhe fermerëve të vegjël. Sipas ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi së shpejti këto inkubatorë do shtrihen edhe në zona të tjera të Shqipërisë.

Fermerët e zonës së Përmetit tashmë me hapjen e inkubatorit të pare të produkteve tipike shqiptare do të kenë një hapësirë të përbashkët për të prodhuar produktet me metoda tradicionale, të certifikuara dhe mbi të gjitha garanci për aksesin në treg. Ky inkubator me dy linja prodhimi është një investim i mbështetur në 70% të vlerës nga skemat kombëtare të mbështetjes në bujqësi për vitin 2018, ndërsa pjesa tjetër nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim. I pranishëm në hapjen e inkubatorit në Përmet ministri Niko Peleshi tha se ky investim do t’i shërbejë më tej njohjes së produkteve karakteristike të zonës duke ofruar cilësi dhe garanci për konsumatorin.

Niko Peleshi, ministër i Bujqësisë: “Kthimi i të ardhurave për banorët e zonave rurale, për fermerët tanë, për amvisat në zonat e mrekullueshme të Shqipërisë, është e vetmja mënyrë për të ruajtur këto hapësira natyrore. Për ti ruajtur dhe shfrytëzuar si potenciale ë jashtëzakonshme edhe ekonomike jo vetëm natyrore. Ky inkubator i jep mundësinë jo vetëm prodhuesve të konsoliduar, që sot kanë një etiketë, janë të regjistruar, por edhe atyre artizanalë.”

Ministri Niko Peleshi u shpreh se ky model investimi do të përhapet në të gjithë Shqipërinë në mënyrë që prodhimet tipike shqiptare të kenë cilësi dhe treg të sigurtë./abcnews.al