Hapet “loja” e padive penale, 6 deputetë dhe 2 këshilltarë demokratë në proces

schedule15:59 - 24 Tetor, 2018

schedule 15:59 - 24 Tetor, 2018

Ende pa u finalizuar Paketa Antishpifje e paralajmëruar nga kryeministri, janë eksponentët e selisë blu ata që po provojnë padi penale e civile nga mazhoranca. ABC News ju sjell listën e demokratëve të paditur që kryesohet nga Lulzim Basha.

“Inaugurohet Fondi i Edukimit nga një shpifje e PD për Erion Veliaj. Gati 12 paditë e para Antishpifje nga ana ime. Në përpunim nja dy duzina të tjera”– shkruan Rama.

Ndërsa kryeministri Edi Rama paralajmëron shifrën ekstreme prej 36 padish që kërkon të depozitojë ndaj opozitës. Mes të cilave mbase finalizon edhe atë të paralajmëruar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me akuzën e këtij të fundit për shpenzimin e 23 mijë dollarëve për këmisha në dyqanin “Hugo Boss” në Nju Jork.

Deri më tani janë 6 deputetë demokratë, mes të cilëve edhe vetë kryetari i kësaj force politike Lulzim Basha, si dhe dy këshilltarë të selisë blu, emrat e të cilëve figurojnë në padi të depozituara në prokurori nga paditës të ndryshëm.

Lulzim Basha – Edi Paloka – Enkelejd Alibeaj – Ervin Salianji – Luçiano Boçi – Gent Strazimiri – Gazment Bardhi dhe Akil Kraja.

Paditësit, që varjojnë nga vëllai i akuzuar për narkotrafik i ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj dhe deri tek Policia e Elbasanit, në pjesën dërrmuese kanë për autor numrin dy të socialistëve Taulant Balla me 6 padi, ndërsa për akuzë kanë atë të shpifjes me qëllim prishjen e imazhit.

Tre janë paditë ndaj kryetarit të opozitës Lulzim Basha të depozituara nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla: një për shpifje sa i përket dosjes “Babale”, një tjetër shpifje për dosjen Xhisiela, si dhe një padi lidhur me çështjen Toyota Jaris për nxjerrje të sekretit hetimor.

Pesë janë deputetët demokratë të paditur nga Taulant Balla.

Dy deputetë dhe një këshilltar janë paditur nga Agron Xhafaj.

Dhe një deputet është paditur nga Policia e Elbasanit.

E vetmja padi e cila ka marrë një vendim gjykate deri më tani është ajo e fituar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, për turbullim të padrejtë të gjendjes shpirtërore dhe cënim të nderit dhe personalitetit të tij, për shkak të akuzave ngritur nga këshilltari bashkiak lidhur me rritjen e çmimit të ujit në Tiranë në masën 40%. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!