Hapet kapaku mister në vendvarrimin e Skënderbeut

schedule16:29 - 31 Korrik, 2018

schedule 16:29 - 31 Korrik, 2018

Një dhomë e fshehtë poshtë dyshemesë së vendvarrimit të Skënderbeut ka 40 vjet që shoqërohet me mister. Me ndërhyrjet më të fundit për restaurimin e këtij vendvarrimi, kapaku u hap përsëri dhe aty u gjet një sarkofag që nuk dihet kujt i përket. Megjithatë ende mbetet enigmë pse zbulimi i shumë viteve më parë u mbyll dhe u vendos që të mos flitej  për të.

Kapaku mbi dyshemene e vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë u hap. Poshtë tij thuhej se kishte gjetje të rëndësishme, por që asnjëherë nuk u publikuan. ABC News e ka përcjellë edhe më herët emblematikën mbi zbulimet e 40 viteve më parë nga arkeologët Frano Prendi, Loro Gjeçi dhe Ndue Përleka.

U desh ndërhyrja për restaurimin e vendvarrimit që të guxohej për të parë se çfarë fshihej poshtë dyshemesë, në dhomën katrore. Përgjegjësi i muze-memorialit në Bashkinë e Lezhës, Paulin Zefi thotë se zbulimi i shumë viteve më parë u mbyll në mënyrë misterioze dhe në mënyrë të pashpjegueshme u vendos që të mos flitej më për të. Por ai afron disa të dhëna se çfare dyshohet.

“Historianët dhe arkeologët janë të ndarë në dy mendime të ndryshme. Një pjesë ka thënë se mund të jetë një basament i shekullit të dytë antik. Pjesa tjetër ishte e mendimit se blloqet janë antike, por të ripërdorura për vendosjen e një sarkofagu”, tha ai.

Zefi thotë se pavarësisht se çfarë do të nxjerrin studimet, ky sarkofag duhet të ekspozohet, ndaj edhe do të hartohet një projekt për këtë qëllim që do t’i dërgohet edhe Ministrisë së Kulturës.

Ekzistenca e një objekti tjetër poshtë vendvarrimit të Skënderbeut u soll për herë të parë nga ABC News rreth 1 vit më parë dhe tashmë sarkofagu emblematik pret që të ekspozohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!