Nga Leontina Nikaj
Qendra Kombëtare e Kinematografisë u bën thirrje shtëpive kinematografike shqiptare që të marrin pjesë në garën për kompeticionin me të rëndësishëm të kinemasë, edicionin e 94 të çmimeve “Oscar”. QKK bën me dije se duhet të paraqiten vetëm prodhime kinematografike, që janë realizuar në dy vitet e fundit, 2020-2021. Filmat më pas do të përzgjidhen nga komisioni i ngritur posaçërisht për selektimin e garës për “Oscar”.
Në kategorinë Filmi Artistik Ndërkombëtar, përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë, dhe të animuar. Këto filma duhet te jenë shfaqur në kinema apo VOD platformë për së paku 7 ditë rresht, jo më herët se 1 janar 2021 dhe jo më vonë se 31 dhjetor 2021.
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës dhe materialeve shoqëruese është 15 shtator 2021. Ceremonia e parë e “Academy Award” u mbajt në 16 maj, 1929, në Hotel Roosevelt në Hollywood, për filmat e shfaqur gjatë viteve 1927-1928. Shqipëria në çmimet “Oscars” 2021 çoi si propozim filmin “Open Door” të regjisorit Florenc Papas.
Premiera botërore këtij filmi ishte zhvilluar ka më herët në festivalin e 25-të ndërkombëtar të Sarajevës, në 2019. Komisioni përzgjedhës atëkohë i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për filmin artistik “Open Door” përbëhej nga drejtori Eduart Makri, Esat Musliu, Bujar Alimani, Ndriçim Xhepa, Agron Domi dhe Genc Përmeti.
Kandidatë ishin edhe filmat “Verë pa kthim” me regji nga Besnik Bisha, “Takim në ajër” nga regjisori Ardit Sadiku. Votimi u krye nëpërmjet lidhjes online në respekt të masave kundra covid-19./ Abcnews.al