Hapet autostrada Thumanë-Kashar/ Aksi i kategorisë A, lehtëson qarkullimin e mjeteve

schedule20:16 - 30 Qershor, 2024

schedule 20:16 - 30 Qershor, 2024

Hapet për qarkullim aksi i ri rrugor Thumanë-Kashar, autostradë e Kategorisë A të BE-së, segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier.

Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja për Turizmin, Mirela Kumbaro.

“Kjo është një rrugë që nuk është bërë thjesht për trafikut që prodhohet nga drejtuesit shqiptarë por të gjithë turizmit se është një korridor që lidh veriun me jugun, dhe ka një lidhje me Korridorin e 8, një korridor që ne po ndërtojmë në këto momente”, u shpreh Balluku.

Kreu i qeverisë tha se ky aks i ri reflekton Shqipërinë 2030.

“Kjo rrugë është një vend, ku të gjithë ata që duan ta prekin me syrin e imagjinatës, çfarë është Shqipëria 2030 mund ta shohin sepse brenda kësaj periudhe e gjitha rruga nga Muriqani deri në Vlorë do të jetë kështu. Ky është korridori blu dhe edhe ai i 8 do të jetë tërësisht i përfunduar dhe po ashtu, pasi kam vënë re se ka shumë komente për rrugën Tiranë-Durrës dhe asaj të vjetër të Ndroqit, shumë shpejt do të fillojë dhe ai projekt. Austrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet ndërkohë që rruga e vjetër e Ndroqit do të mbetet ashtu siç është do të jetë turistike dhe panoramike dhe do të mundësojë një kalim alternativ.” tha Rama.

Rama shtoi se nëse nuk do të ketë probleme me gjeologjinë, tuneli i Murrizit në rrugën e Arbërit do të hapet para fundvitit.

“I kam merak dibranët. E para që tuneli i Murrizi është fiksimi në luftën me gjeologjinë. Në Murriz po ecim dhe nuk duam të flasim, të vëmë afate. Por nëse edhe fuqia e të zotërve të Dibrës do të kemi tunelin para fundit të vitit. Kam parë një lajm që rruga e Arbërit do jetë me pagesë. Nuk do ketë pagesë për rrugën e Arbrit’, u shpreh kryeministri Rama.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!