VLORË- Ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat, me gjatësi rreth 15 km do të shkurtojë maksimalisht distancën drejt bregdetit dhe kjo do t’i japë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së kësaj zonës.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektoi nga afër aksin rrugor Orikum-Dukat, ndërsa e cilësoi atë si një nga projektet rrugore më të rëndësishme, që lidh Vlorën me tunelin e Llogarasë.
Balluku tha se, “ky është një nga projektet më të rëndësishme që lidh Vlorën me tunelin e Llogarasë. Në qershor të 2024 ne do të dorëzojmë të përfunduar edhe ndërtimin e tunelin të Llogorasë që shkurton akoma më shumë rrugën në jugun e vendit. Ndërsa aksi Orikum-Dukat, shkurton maksimalisht distancën drejt bregdetit, duke i dhënë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës”, tha Balluku.
Më tej Balluku u shpreh se, “Ne e hapim këtë rrugë për të qenë e aksesueshme sa më shumë dhe për të facilituar sa më shumë periudhën e turizmit që është më shumë i përqendruar në zonën e bregdetit të jugut.Por ne do t’i rikthehemi punimeve për shtrimin e shtresës përfundimtare asfaltike pasi të mbarojë sezoni veror”, bëri të ditur Balluku, teksa vuri në dukje se ka përfunduar plotësisht vendosja e sinjalistikës./abcnews.al