“Hapësira e mbjellë me kanabis u rrit me 1200%”: Policia e Shtetit reagon për pamjet në Rai

schedule14:15 / 28/01/2020

Televizioni italian Rai 3 ka publikuar filmimet nga ajri të Guardia di Finanza në lidhje me mbjelljen e kanabisit në Shqipëri duke raportuar se kemi të bëjmë me një rritje të madhe me 12 herë krahasuar me vitet e mëparshme.

“Hapësira e mbjellë u rrit me 1 200 për qind”, raportoi Rai 3. Televizioni italian theksonte se trafikantët shqiptarë kanë sjellë nga Vietnami një fare të re kanabisi, e cila bën që bima të rritet dhe të bëhet gati për treg shumë shpejt duke siguruar fitime të mëdha.

Kronika është transmetuar gjatë edicionit të mbrëmshëm të lajmeve në orën 19:00 duke dhënë alarmin për rikthimin e hapësirave të mëdha me kanabis në vend.

Ndërkohë lidhur me këtë ka reaguar Policia e Shtetit, duke e cilësuar këtë si lajm të rremë të televizionit italian.

Sipas policisë “Drejtori i Përgjithshëm e ka përcjellë menjëherë shqetësimin e krijuar nga ky lajm tek partneret italianë dhe ka kërkuar prej tyre saktësimin e këtij informacioni pa asnjë bazë, i cili ka krijuar terren për spekulime politike dhe mediatike edhe në Shqipëri”.

Njoftimi i plotë:

Reagimi i Policisë së Shtetit në lidhje me një lajm të transmetuar në kanalin prestigjioz RAI 3

Policia e Shtetit është krenare për rezultatet e arritura ne luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit me partneret italianë. Falë këtij bashkëpunimi rezultatet domethënëse thellohen çdo vit dhe janë të monitoruara e të certifikuara nga autoriteti i lartë profesional i Guardia di Finanza-s.

Viti 2019 shënoi sasinë më të vogël historike të kanabisit me origjinë nga Shqipëria, të kapur në Itali, duke provuar kështu suksesin e madh dhe të padiskutueshëm të luftës tonë në këtë front.

Në emër të të gjithë trupave tona të angazhuara në ketë betejë të shtetit dhe ligjit me antishtetin dhe antiligjin, ne shprehim keqardhjen e thellë dhe indinjatën legjitime për lajmin e rremë të transmetuar mbrëmë nga kanali prestigjioz RAI 3, ku dezinformimi mbi kultivimin e kanabisit në Shqipëri ishte skandaloz.

Drejtori i Përgjithshëm e ka përcjellë menjëherë shqetësimin e krijuar nga ky lajm tek partneret italianë dhe ka kërkuar prej tyre saktësimin e këtij informacioni pa asnjë bazë, i cili ka krijuar terren për spekulime politike dhe mediatike edhe në Shqipëri.

Partnerët italianë janë shprehur të habitur me lajmin në fjalë dhe kanë konfirmuar se ky lajm nuk bazohet në asnjë burim të drejtpërdrejtë informacioni të verifikuar.

Duke e garantuar opinionin publik shqiptar se Policia e Shtetit ka vijuar pa lëkundje dhe do të vijojë vendosmërisht luftën kundër krimit e trafiqeve, për ta bërë Shqipërinë një vend me nivele gjithnjë e më pranë mesatares europiane në aspektin e statistikave të kriminalitetit të çdo lloji, ne mbetemi në pritje të një përgënjeshtrimi zyrtar nga autoritetet përkatëse italiane, të cilave përfitojmë nga rasti t’u shprehim konsideratën tonë më të lartë për mbështetjen dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit, ku pastrimi i Shqipërisë nga fenomeni i kultivimit masiv të kanabisit është tanimë një histori e certifikuar suksesi.

/abcnews.al

schedule14:15 / 28/01/2020