Kryebashkiaku i Tiranës u kërkon banorëve të kryeqytetit të regjistrohen në gjendjen civile të vendbanimit ku janë rezidentë. Erion Veliaj i bëri deklaratat nga zyrat e reja të Njësisë Administrative 12, që do të ofrojë më shumë lehtësi për banorët.
Banorët e zonës së njohur si Fresku, ata të Qesarakës dhe ish-Institutit të Fizikës Bërthamore tashmë do ta kenë më të lehtë për të marrë shërbimet në njësinë e tyre administrative. Bashkia e Tiranës hapi edhe zyrat e reja të Njësisë 12 që përfshin lagjet e reja të krijuara vitet e fundit në veri-lindje të kryeqytetit.
“Të gjithë ata që janë ndjerë sikur banojnë në një brez kufitar, pra në një zonë asnjanëse, as këtej, as andej, sot kanë njësitë e tyre. Kjo është një mundësi fantastike për të gjithë qytetarët që duan të marrin shërbimet, duke filluar nga ndihma ekonomike, nga certifikatat, apo kartat e reja të identitetit, t’i bëjnë pranë zonës së tyre. Sot është një ditë feste për gjithë komunitetin që jeton tek Teleferiku, tek Fresku, mbi Fizikën Bërthamore, gjithë zona e Qesarakës”.
Por edhe kryebashkiaku Veliaj e ka një kërkesë për banorët.
“Duke qenë se banorët kanë shumë kërkesa për bashkinë, kemi dhe ne një kërkesë për ta. Kërkesa e tyre për bashkinë është që të rriten investimet, kërkesa e bashkisë është që të rriten regjistrimet e tyre këtu. Falë votës në Parlament është hequr gjoba, pra regjistrimi bëhet falas; mund të jesh nga Lushnja, nga Librazhdi, Kukësi, Këlcyra, por vjen tek Njësia dhe e transferon falas gjendjen tënde civile”.
Veliaj u shpreh se duke u regjistruar, jo vetëm merr shërbimet më afër dhe më shpejt, por edhe zona përfiton më shumë investime në rrugë, ujësjellës, kënde lojërash, etj./abcnews.al