Hapen 5 shkolla të reja në Tiranë, Veliaj: T’i japim fund mësimit me dy turne prej mentalitetit

schedule15:03 - 6 Shtator, 2024

schedule 15:03 - 6 Shtator, 2024

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar hapjen e 5 shkollave të reja në kryeqytet me fillimin e vitit të ri shkollor ditën e hënë. Gjatë takimit me administratorët e shkollave të Tiranës, Veliaj tha se shkollat e reja I japin fund mësimit me dy turne. Ai i bëri thirrje prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët në shkollat pranë banesës së tyre, pasi të gjitha objektet janë ndërtuar me të njëjtat standarde dhe kanë të njëjtin nivel mësimdhënie.

“Këtë vit hapim 5 shkolla të reja. Vitin tjetër do të hapim 4 shkolla të tjera. Qshtë një revolucion sepse kemi shkuar, 45 plus 4, në 49 shkolla të reja. Për ata që nuk kanë ndërtuar asnjë shkollë, kam 9 vjet që i pyes: më thoni një shkollë që keni ndertuar. Përgjigja e tyre është: Zero. 49 me 0 them se është një rezultat i mirë dhe shpresoj që ta mbajmë ritmin deri në fund. Për herë të parë në historinë e tranzicionit, shkolla “Avni Rustemi” kalon me një turn, nga një shkollë me dy turne që ishte. Ka disa shkolla si “Mihal Grameno”, që janë ende me dy turne. Nuk janë me dy turne prej hapësirës, janë me dy turne prej mentalitetit. Mania që do i çojmë atje se ajo është shkolla më e mirë, se janë zyshat më të mira, është e pavërtetë. Me sistemin e ri, zyshat që kanë dalë të parat në sistem janë shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme në të gjitha shkollat”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë dha edhe një lajm të mirë për komunitetin e lagjes ‘Rilindja’, te Unaza e Madhe, dhe pranë Liqenit të Thatë. “Kemi përgatitur projektin edhe për shkollat e reja në lagjen ‘Rilindja’, te Unaza e Madhe, dhe te ‘Liqeni i Thatë’. Po presim një VKM që të na çlirojë këto shkolla nga paketa e shkollave me projektin e PPP sepse mjafton një nga pronat të jetë e zaptuar ose në proces gjyqësor, dhe na bllokohen të 4 shkollat. VKM na lejon që t’i bëjmë shkollat te lagjja “Rilindja” dhe Liqeni i Thatë veç e veç. Mezi po pres, ndaj me të dalë VKM, do të nisim punën”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se Bashkia e Tiranës do të ndërtojë qendrën më të madhe në Ballkan për të ndihmuar fëmijët me spektrin autik. Ai theksoi se qendra “Pëllumbat”, që i ka kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës, do të kthehet në një qendër model për trajtimin e fëmijëve. “Ne kemi vendosur që të ndërtojmë qendrën më të madhe për të ndihmuar fëmijët me spektrin autik në Ballkan. Ashtu si Piramida është sot qendra më e madhe e kodimit, ne duam që edhe për engjëjt e tjerë të ofrojmë shërbimin më të specializuar. E ofrojmë në formën e psikologëve, logopedëve dhe asistentëve specialë në qendrat sociale, në disa nga shkollat dhe çerdhet tona, por nuk mjafton vetëm mësuesi ndihmës. Ne duam që qendra ‘Pëllumbat’ të kthehet në një qendër model për të trajtuar të gjithë fëmijët me aftësi speciale të spektrit autik dhe sindromës Doën”, njoftoi ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!