Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, në një konferencë për media ka deklaruar se nuk kanë arritur marrëveshje për gjetjen e një kandidati konsensual për president. Ai ka thënë se Kurtit i ka bërë ofertë për një president të propozuar nga PDK-ja.
“Ne kemi bërë një ofertë konkrete për tejkalimin e situatës, me këtë ofertë dhe me të gjithë hapat e ndërmarrë deri më tani, ju konfirmoj se nga sot PDK nuk do të bëhet pjesë e veprimeve të mëtejme formale në kuadër të këtij procesi. Kjo është përpjekja jonë e fundit”, tha Hamza.
Hamza tha se si subjekt politik kanë dhënë ofertën e tyre për shmangie të zgjedhjeve, por që nuk kanë arritur të dakordohen.
“Si PDK ofruam edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja. Kërkuam që të zgjedhet presidenti i propozuar nga PDK, me qëllim për të garantuar stabilitetin institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik. Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është përmbushur. Sot është 28 shkurti, dy muaj pas zgjedhjeve dhe më shumë se dy javë nga votimi i Qeverisë Kurti 3, kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri në përfundim të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit”, tha ai, teksa shtoi pyetjen nëse takimet e minutës së fundit, ashtu siç iu referua ai, po zhvillohen për gjetje të zgjidhjes apo për ngushtim artificial të kohës në mënyrë që procesi të zhvendoset te opozita.
Hamza tha se nuk e marrin përsipër përgjegjësinë që s’u takon e që është mungesa e numrave, e vendimmarrjes dhe s’mund të zëvendësojnë shumicën parlamentare.
“Përgjegjësia për prodhimin e rezultateve bie mbi qeverinë dhe shumicën e saj. Opozita ka rol kontrollues, jo shpëtues”, tha ai.
Ai tha se asnjëherë nuk ka vendosur vija të kuqe sepse ka konsideruar që janë pengesë për formimin e institucioneve dhe prodhojnë pasoja që lënë vakum që dëmton interesin e vendit. Ai tha se si subjekt politik asnjëherë nuk kanë refuzuar marrëveshje ndërpartiake gjithëpërfshirëse për formim të institucioneve. Hamza tha se vlerëson me respekt të thellë vendimin e familjes Jashari që asnjë nga ta të mos marrë postin e presidentit.


