Hamilton barazon legjendën Fangio në Formula 1

schedule21:04 - 29 Tetor, 2018

schedule 21:04 - 29 Tetor, 2018

Ljuis Hamilton fiton titullin e pestë botëror në Formula 1. Anglezi i Mercedesit mund të quhet një kampion i paracaktuar nga fati, ndërsa synon të arrijë Mikael Shumaherin.

Në vitin 1995, një djalosh 10-vjeçar me lëkurë të errët iu afrua të famshmit Ron Denis, shefit të Meklarenit. I kërkoi autograf dhe i tha: “Unë quhem Ljuis Hamilton, fitova kampionatin britanik dhe një ditë dua që të garoj për makinat tuaja”. Ron Denis e pa disi me habi, por nuk ia preu shkurt.

“Më telefono pas 8 vjetësh, – u shpreh ai, – besoj se do të bëjmë diçka”.

Kjo histori kujtohet sot, pasi Ljuis Hamilton fitoi titullin e pestë botëror në Formula 1, duke u barazuar me legjendën Huan Manuel Fangio. Vendi i katërt në Çmimin e Madh të Meksikës ishte i mjaftueshëm. Piloti anglez, 33-vjeçar, arriti një kurorëzim të madh të karrierës, pak vjet pasi barazoi idhullin e tij, Airton Sena, me 3 tituj. Në të vërtetë, kaluan vetëm 3 vjet që nga biseda e 1995-ës, dhe ishte vetë Ron Denisi që i telefonoi Hamiltonit, duke e mbajtur fjalën.

Ai i dha një kontratë me Meklarenin. Ljuisi u bë më i riu që nënshkroi një kontratë të tillë në historinë e Formulës 1. Kur ishte 12 vjeç, kompania Ladbrouks (Ladbrokes) vuri bast se ai do të fitonte një garë të Formula 1 para moshës 23-vjeçare, dhe që ai do të shpallej kampion i botës 25 vjeç. Hamilton i tejkaloi të dy këta parashikime.

Ai u bë piloti më i ri që fitonte një titull botëror, në 2008, (rekord që e theu Feteli), pas garës dramatike në Brazil, vendosur në kthesën e fundit të xhiros së fundit, pikërisht në garën e fundit. Tepër ambicioz deri në mosbindje, ai nuk ngurroi të përplasej brenda skuadrës me eprorin Denis dhe me shokun e tij, Fernando Alonso, aq sa Meklareni humbi titullin në 2007. Gjithsesi, personaliteti i tij është ndër më të mëdhenjtë në Formula 1, i krahasueshëm me atë të Fangios, Senës, Prostit apo Shumaherit.

Në vitin 2012, Hamiltoni u largua nga Meklareni dhe kaloi tek Mercedesi, me të cilin arriti kulmet. Fitoi titujt botërorë në 2014, 2015, 2017 dhe tani në 2018.

“Duket si diçka surreale. Të fitosh pesë tituj botërorë është diçka që as nuk mund të parashikohet, pasi ishte madhështor edhe thjesht fakti që fitova një titull. Është nder i madh për mua që të krahasohem me legjendat më të mëdha në Formula 1. Dua të falenderoj babanë tim, familjen time, dhe skuadrën e Mercedesit, pasi pa mbështetjen e tyre nuk do të isha ky që jam sot”.

Ljuis Hamilton u bë i pari dhe mbetet i vetmi pilot me ngjyrë në këtë sport, dhe i pari me ngjyrë kampion i botës. Tifoz i Arsenalit, ai mendon se nëse nuk do të ishte bërë pilot i F1-it, do të kishte luajtur futboll ose kriket, të cilët i praktikoi në shkollë.

Ashtu si Ibrahimoviçi, Hamiltoni u mor me artet marciale, duke praktikuar karatenë, për të mbrojtur veten nga fëmijët agresivë në shkollë. Sot, ai nuk ka nevojë të mbrohet, por vetëm të sulmojë, dhe objektivi i radhës është titulli i 6-të botëror./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!