Pas përplasjeve të armatosura të së premtes Hamas konfirmoi vendosjen e armëpushimit me Izraelin. Një ditë më parë gjatë manifestimeve në Rripin e Gazës mbetën të vrarë dy palestinezë.
Hamas deklaroi mesnatën e të premtes një armëpushim me Izraelin. Lajmi është konfirmuar dhe nga mediat izraelite dhe ndërkombëtare. Zëdhënësi i Hamas deklaroi se me përpjekjet egjiptiane dhe të Kombeve të Bashkuara u arrit një marrëveshje për rikthimin në situatën e armëpushimit mes pushtuesve dhe palës palestineze.
Përplasja e armatosur mes palëve shpërtheu të premten në kufirin mes Gazës dhe Izraelit, ndërsa në zonë po zhvilloheshin manifestime masive nga palestinezët. Burime palestineze theksuan se topa izraelitë goditën një vendqëndrim ushtarak të Hamas pranë kampit të refugjatëve dhe të paktën dy persona mbetën të vrarë. Një bilanc tjetër flet për katër viktima. Sipas mediave izraelite, qitës palestinezë kanë qenë të parët që kanë hapur zjarr kundër ushtarëve të shtetit hebre./abcnews.al