Presidenti i Tiranës, Refik Halili është i ftuar sonte në emisionin “Pressing” në ABC. Kreu i rekordmenëve të futbollit shqiptar, e nis me Albi Dokën dhe Michael Ngoo, dy nga lojtarët më të mirë të bardhebluve në sezonin e fundit, që përkoi me fitimin e titullit, tashmë të larguar nga ekipi kryeqytetas.
“Jemi kampionët në fuqi, kaluam turin e parë në Europë, nuk patëm fat me Crvena Zvezdën, ku bëmë një ndeshje shumë të mirë. Shkuam në play-off, Tirana nuk kishte arritur kurrë deri në atë fazë. Në merkaton që donim të bënim që në hapat e para, jemi munduar të bëjmë një grup të mirë, duke ruajtur grupin që kishim. Kishte disa kontrata që përfunduan.
Negociatat që zhvilluam me Dokën, zgjatën 8 muaj. Doka na u bë si Briegel tani. Respekt për futbollistët që dhanë kontributin për titullin, e fituam si grup. Futbollistë me emër qëndronin në stol dhe dëgjonin vendimet e trajnerit. Te ne heshtja bëri punën e vet që skuadra të ecte përpara. Kanë qenë negociatat të shumta me Dokën, mund ta ulnim edhe në stol 6 muaj, do binte çmimi i tij dhe forma.
Unë kisha besim deri në fund për të bërë urën e kalimit nëpërmjet klubit, sikur edhe me zero financë. Kjo nuk u bë, e falënderoj për kontributin, po të mos ishte ai, mund të kishim probleme. Mësuam dhe kemi filluar dhe punojmë, na erdhën mendtë po themi, kemi bërë kontrata më të gjata, me lojtarë si Ismaljgeci, Muçi dhe Çelhaka.
Ngoo? E respektoj për golat dhe asistet që ka dhënë, edhe për kontributin e tij. Para se t’i përfundonte kontrata, negociatat kanë qenë të vazhdonte me ne. Ngoo bëri një propozim: nëse doni të qëndroj, dua 10 mijë euro në muaj edhe shtëpinë, që e ka pasur gjithmonë.
I thamë që jemi dakord, por të vish me 8 mijë euro në muaj dhe të kesh shtëpinë. Po afrohej finalja e Kupës, ai tha se e kishte bërë propozimin e tij dhe kërkoi me çdo kusht të largohej te familja, për punët e tij. Kërkoi të largohej. Do t’i jap nesër dokumentet, atë ditë që u largua ka marrë një shumë të konsiderueshme.
Është i vetmi futbollist që tentoi të bënte një kontratë shtesë edhe për muajt korrik e gusht. Ngoo është sot me një diferencë prej 5300 euro bonus, në kontratë e ka pasur 10 mijë euro, 5 mijë për titullin dhe 5 të tjera për golat e asistet.
Atë ditë që u largua i dhamë 13 mijë euro, mbetet edhe një diferencë e muajit shtator. Nuk kam thënë që Ngoo nuk di të luajë futboll dhe nuk do të luajë më, kam thënë që do të jetë e vështirë të shkojë në një klub tjetër.
E njoh mirë, ka disa teka që vështirë t’ia pranojnë diku tjetër. Ne e kemi gëlltitur, ka pasur edhe raste për gjoba, por nuk kemi bërë gjë. Ngoo ka qenë, ndoshta është akoma në Tiranë. Do mendohemi për të ardhmen e tij.
Ngoo ka shumë kohë që kërkon të kthehet, problemi është që nuk ishim dakord të bënim këtë sakrificë financiare. Është vendim i vështirë nga gjendja që ka, do të mendohemi, kur të kemi diçka konkrete do t’u themi juve“, deklaron Halili.
EGBO – “Ajo është një skuadër e ndërtuar me mund. Pa financa nuk ndërtohet, por nuk dua të marr merita. Nëse flasim për Torassa, Cale e Batha, nuk ka nevojë për komente. Folëm me Egbo dy ditë radhazi. Donim të kthenim Memën, pasi ai kishte ikur vetë. Na tha që nuk bie dakord, pasi fliste me Egbo dhe Xhafën. Pastaj i kam thënë që mund të marrësh drejtimin, nëse do. Këto janë të vërteta.
Egbo pranoi ta drejtonte skuadrën për disa ndeshje. E mori dhe i shkoi mbarë. Futbollistët kanë marrë 300 milion lekë bonuse, edhe pse ndoshta nuk e meritonin, ndoshta as pagat. Do i bëjmë në ‘Air Albania’ ndeshjet, pasi nuk është fusha aq e keqe. Egbo e hoqëm për shkak të rezultateve. Kushdo trajner që nuk ka rezultate, nuk mund ta mbajmë”. /abncews.al