Rusia u hakmor duke dëbuar një diplomate shqiptare nga ambasada jonë në Moskë. Jonida Drogu, e cila shërbente si sekretare në ambasadën shqiptare në Moskë ka 72 orë kohë që të largohet nga Moska, pasi u shpall e padëshiruar, “non grata”.
Hakmarrja e Rusisë pas dëbimit të diplomatit Alexey Krivosheev nga Tirana zyrtare me argumentin se shkeli masat anti-covid-19, ishte e dyfishtë, pasi jo vetëm shpalli “non grata” sekretaren e ambasadën shqiptare në Moksë, po i publikoi edhe emrin, gjë për të cilën akuzoi vendin tonë se shkeli praktikën ndërkombëtare diplomatike.
Dëbimi i fundit nga Rusia i diplomatëve shqiptarë ishte bërë në 12 mars të 2018, ku shpallën “non grata” Albert Jerasin dhe Arben Doçin. Reagimi rus asokohe erdhi, pasi në datë 26 mars të 3 viteve më parë, qeveria shqiptare shpalli “non grata” 2 diplomatë Vladislav Filipov, atashe ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës me arsyetimin se veprimtaria e tyre nuk përputhej me statusin e tyre diplomatik, raporton abcnews.al.
Por cfarë ndodh tani? Urdhri për dëbimin e diplomates shqiptare nga ambasada jonë në Moskë, ka futur në kolaps punën e saj. Abcnews.al mëson se përfaqësia jonë në Rusi tashmë përbëhet vetëm nga ambasadori Arben Gazioni.
Në deklaratën e lëshuar sot nga Rusia kishte një sulm për qeverinë shqiptare. Moska theksonte se dëbimi i diplomatit rus nga Tirana u bë si një provokim me qëllim për të fituar pikë politike në kushtet e fushatës zgjedhore që ka filluar në Shqipëri.
“Ky hap u mor nga pala ruse në përgjigje të vendimit të Shqipërisë për të dëbuar nga vendi nën një pretekst plotësisht të sajuar të sekretarit të parë të Ambasadës Ruse në Tiranë. Ne i konsiderojmë veprimet e palës shqiptare si një provokim me qëllim për të fituar pikë politike në kushtet e fushatës zgjedhore që ka filluar në Shqipëri dhe mbështetjen e forcave anti-ruse në Perëndim” mbyllet deklarata./ db/Abcnews.al