Kur mbërriti në Zagreb dihej se cili ishte. Dinamo mori Arbër Hoxhën nga Slaven Belupo pasi e ndoqi nga afër në paraqitjet e tij në Ligën e Parë të Kroacisë, dhe trajneri Sergej Jakiroviç e drejtuesit e klubit nuk ngurruan të paguanin për të.
Kartoni u pagua 1 milionë euro, ndërsa Slaven Belupo mbajti 15 për qind të vlerës që mund të jetë shifër shumë e lartë në një transferim të radhës.
Më pas, e panë në vetëm pak minuta në Europian. Arbër Hoxha ua tregoi specialistëve dhe mediave të Kroacisë vlerën e tij, kur hyri si zëvendësues në duelin në Gjermani, të cilin Shqipëria e mbylli në barazim 2-2 me Kroacinë falë klasit të lojtarit me origjinë nga Kosova.
Ndërkaq, goli i shënuar këtë fundjavë në stadiumin e Hajdukut bëri që të përditshmet e Zagrebit të kujtoheshin për një histori më të vjetër.
Sipas “Jutarnji Listit”, ajo rrjetë e shqiptarit ishte si një lloj revanshi ndaj klubit nga Dalmacia që pati dy herë mundësi për ta marrë, por që nuk e bëri.
Kur ishte 16 vjeç, shkoi në provë në Split dhe nuk u paraqit keq, por Hajduku nuk e vlerësoi lart.
Nga ajo periudhë, 9 vjet më parë, ka mbetur vetëm kjo fotografi e një adoleshenti në stadiumin “Poljud”.
Në 2023, Hajduku sipas mediave kroate nuk pati financat për të plotësuar kërkesat e Slaven Belupos, dhe këtë e bëri Dinamo. Me rekordmenët e titujve është paraqitur disa herë mirë, ka shënuar edhe gola të shkëlqyer, ndonëse rrallë ka qenë zgjedhje e parë. Gjithsesi, siç thuhet, shpresa vdes e fundit./abcnews.al

