Haki Çako: 69 vatra zjarri të qëllimshme që prej 3 Marsit

schedule13:41 - 25 Mars, 2019

schedule 13:41 - 25 Mars, 2019

Stina e pranverës si asnjëherë më parë është hasur me një situatë të pazakontë sa i përket fenomenit të zjarreve, ku gjatë javëve të fundit janë shënuar disa vatra. Duke marrë shkas nga kjo, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako doli në një deklaratë ku theksoi se:

Prej datës 3 Mars e deri më sot, janë konstatuar 69 vatra zjarri, të cilat kanë djegur  169 hektarë. Për 22 ditë janë djegur sipërfaqe me kullota, pemëtari dhe pyje, të konsideruara si zona të mbrojtura duke sjellë pasoja shumë të mëdha si në ekonomi ashtu edhe në mjedis”.

Ndër të tjera kreu i Emergjencave Civile theksoi se zjarret janë të qëllimshme, duke iu bërë apel edhe drejtuesve vendorë që të marrin masa dhe të respektojnë ligjin.

“Sipas analizës së EC kjo situatë është e qëllimshme. Të gjitha vatrat e zjarrit janë ndezur nga dora e njeriut. Me keqardhje vërejmë se autoritetet vendore mjaftohen vetëm me konstatimin e problemit apo kërkesat për ndërhyrje nga ajri. Për të gjithë ata drejtues vendorë të cilët bëjnë veshin shurdh ju rikujtoj ligjin për “Për emergjencat civile” , “Ligjin për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi”, si dhe të gjitha akteve të tjera ligjore dhe nënligjore. Pushteti vendor është përgjegjësi direkt për organizimin e masave parandaluese, ruajtjen e sipërfaqeve pyjore dhe kullotave dhe identifikimin e vatrës fillestare dhe autorëve me përgjegjshmëri maksimale”, tha Çako .

Haki Çako deklaroi gjithashtu se qytetarët dhe banorët e zonave të prekura nga zjarret, duhet të sensibilizohen dhe të njoftojnë menjëherë instancat përkatëse kur konstatojnë vatra zjarri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!