Haker-at të lidhur me Kinën, sulm kibernetik ndaj 9 kompanive ndërkombëtare

schedule21:26 - 11 Nëntor, 2021

schedule 21:26 - 11 Nëntor, 2021

Një kompani amerikane që kryen veprimtari në fushën e sigurisë kibernetike thotë se një grup hakerash të lidhur me gjasë me Kinën, kanë kryer një sulm kibernetik ndaj nëntë kompanive ndërkombëtare, njëra prej të cilave ndodhet në Shtetet e Bashkuara.

Në raportin e “Palo Alto Networks” një kompani me qendër në Santa Clara të Kalifornisë thuhej se hakerat ishin përpjekur në mënyrë aktive të vidhnin fjalëkalime nga këto kompani, me synimin për të siguruar një qasje afatgjatë në rrjetet e tyre.

Në raport thuhet gjithashtu se prej datës 22 shtator deri në fillim të muajit tetor, hakerët kishin komprometuar të paktën nëntë kompani që operojnë në sektorë të tillë si teknologjia, mbrojtja, kujdesi shëndetësor, energjia dhe arsimi, por asnjë prej këtyre kompanive nuk përmendej me emër në raport. Një nga kompanitë ndodhet në Shtetet e Bashkuara.

Ryan Olson, përfaqësues i kompanisë “Palo Alto Networks”, ngarkuar me çështje të sigurisë, tha se “çdo kompani që bën biznes me Pentagonin mund të ketë një sërë të dhënash në emaile që lidhen me kontrata në fushën e mbrojtjes, të cilat mund të jenë me interes për spiunazhin e huaj”.

Nicholas Eftimiades, asistent profesor në Universitetin shtetëror Penn, e që ka shërbyer më parë si oficer zbulimi i CIA-s, i tha “Zërit të Amerikës” se taktikat e përdorura në këto sulme zakonisht përdoren kundër qeverive të huaja. Në këtë rast, grupi i hakerëve përdori taktikat kundër interesave tregtare në shkallë globale.

Zoti Eftimiades shtoi se nëse këto sulme nuk do të ishin zbuluar, ky grup do të kishte fituar qasje tek të dhënat e mijëra kompanive e më pas të kryente operacione spiunazhi duke i përdor ato.

Raporti është publikuar në faqen e internetit të “Palo Alto Networks” më 7 nëntor. Ministria kineze e ngarkuar me çështje të sigurisë nuk iu përgjigj një kërkese të “Zërit të Amerikës” për koment./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!