Por ajo që bën përshtypje dhe e që ka ndalur grupin hetues në zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 21 shtator 2019 në fshatin Zezë të Niklës, ku mbeti i plagosur rëndë Marklen Haka dhe humbi jetën në spitalin e Traumës, halla e tij Shpresa Basha, është se si mundi toga prej 6 armëtarësh të shmangte kamerat e zonës?!
Kush i ndihmoi ata në monitorimin e zonës?
Ndërkohë që është ende e pashpjeguar se përse familja Haka edhe pse kishte konstatuar lëvizje të dyshimta një natë përpara ngjarjes, nuk kishte vepruar për të mësuar se kush ishin ‘miqtë’ e paftuar pranë banesës së tyre.
Ndërsa edhe në këtë histori janë të përfshirë elementë të botës së krimit siç është edhe Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, i njohur si i forti i Niklës, i skeduar në dhjetëra ngjarje, me e fundit ajo e vrasjes së ish policit Arben Bilali, ku i dyshua si një nga autorët.
Valter Bami, personi i identifikuar me rreth të kuq që mban në krah Marklen Hakën, në këto pamje të siguruara mbrëmjen e 21 shtatorit 2019, në urgjencën e Spitalit të Traumës.
VALTER BAMI
“Kam qenë në shtëpi kur kam dëgjuar krisma automatike në afërsi të lagjes time. Krismat vinin nga lagjja e Hakëve. Dola menjëherë në ballkon. Në këtë moment më mori në telefon Aurel Deliu të cilin e kam kushëri dhe më tha kanë qëlluar Marklen Hakën dhe hallën e tij Shpresa Basha. Kam dalë direkt. Erdhën me morën me makinë Aureli dhe Gust Haka dhe jemi nisur për në Spitalin Ushtarak.”
Valter Bami tregoi në hetuesi edhe për një njohjen e tij të ngushtë me objektivin e atentatit.
Por ajo që sërish mbetet e dyshimtë edhe në dëshminë e tij, është se si ka mundësi që pavarësisht se kishin dijeni prej 24 orësh për trupën e armatosur që lëvizte në fshat, familjet Bami dhe Haka, nuk kishin marrë masa.
Ndërsa të dy këta personazhe rezultojnë të kishin qenë në të njëjtën bankë akuze.
Teksa më 12 shtator 2018, Marklen Haka u arrestua bashkë me të atin dhe dy persona të tjerë, në rrethimin që forcat speciale i bënë Niklës dhe disa fshatra të tjera të Krujës, ku u shoqëruan dhjetëra persona, por që u arritën të gjenden vetëm disa armë pa leje.
Në vitin 2019, Marklen Haka u dënua me 1 vit e gjashtë muaj heqje lirie.
Ndërsa më herët, i njëjti personazh, më 13 qershor 2011, ishte shoqëruar si i dyshuari kryesor në vrasjen e biznesmenit të kromit, Nadien Zeneli, ngjarje e ndodhur në zonën e ish-Bllokut, në kryeqytet, ku atëkohë Marklen Haka u dyshua se e ekzekutoi biznesmenin e kromit, pas dyshimeve se Nadien Zeneli ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Roland Haka, ngjarje kjo e ndodhur më 10 qershor 2004.
Teksa ky i fundit po darkonte me disa miq të tij në një prej lokaleve më të njohura të Fushë-Krujës.
VALTER BAMI
“Marklen Hakën e kam shok të ngushtë dhe kur e kam takuar ditën e ngjarjes, me tregoi se një natë përpara në afërsi të banesës, nipi i tij kishte parë 5 apo 6 persona të armatosur që po qëndronin të fshehur në kanalin përpara portës së banesës së tij.
Por Markleni më tha se nuk e kishte lajmëruar policinë sepse kishte menduar se mos kishte qenë vetë policia.”
Një kamuflim që duket se i ka shërbyer më së miri bandës së atentatorëve që kishin mundur të lëviznin lirshëm në fshat.
Madje duke i shpëtuar edhe kamerave të tre vilave luksoze të Hakajve në fshat.
Ndërkohë që një tjetër personazh krahas Valter Bamit, që rezulton njohje e Marklen Hakës, në këtë histori është edhe Indrit Rraja, i cili sot nuk jeton më, por dëshmia e tij atëkohë konsiderohej kyçe për hetuesit.
INDRIT RRAJA
“Rreth orës 23:00 të datës 21 shtator 2019 më ka marrë ne telefon Marklen Haka dhe më ka thënë ‘hajde se vdiqa, më kanë gjuajtur para shtëpisë’. Jam nisur me makinën time dhe i kam shkuar tek shtëpia. Sapo kam ndaluar pashë Marklenin që e kishin nxjerrë të porta familjarët e tij dhe e futën në makinë. U nisëm për në Spitalin Ushtarak. Në makinë hipi edhe motra dhe nipi i tij dhe e trasportuam për në spital. Kur mbërritëm e futën me urgjencë në sallën e operacionit. Marklenin e kam shok të ngushtë dhe vjen shpesh në lokalin tim te ‘Ura e Gjolës’”.
Edhe Indrit Rraja, ashtu siç pritej nuk deklaroi në dëshminë e tij probleme të mundshme që mund të kishte miku i tij.
INDRIT RRAJA
“Unë nuk kam dijeni që Markleni të kishte konflikte apo probleme me njeri. S’më është shprehur ndonjëherë për këtë gjë. Gjatë rrugës ai më thoshte vetëm ec shpejt se kam dhimbje krahu. E pyesja nëse kishte plumba të tjerë në trup, por ai m’u përgjigj se i kishte vetëm në krah. Më tha se personat që e qëlluan kanë qenë tek kanali përballë shtëpisë në errësirë.”
Të njëjtën dëshmi ofroi për grupin hetues edhe Aurel Deliu, i cili rrëfeu se mbrëmjen e ngjarjes, teksa po transportonin të plagosurin në spitalin e Traumës, dy kushërinjtë e këtij të fundit i kishin thënë se ishin mbledhur në darkë, pasi ishin të shqetësuar për lëvizjet e pazakonta që po ndodhnin pranë banesës së Hakajve.
AUREL DELIU
“Isha në banesën time, kur më erdhi në shtëpi Egustian Haka dhe Ervis Basha, duke më thirrur. Dola nga shtëpia dhe ato më thanë hajde se kanë gjuajtur Marklenin tek porta e shtëpisë. Menjëherë njoftova Valter Bamin”.
Por Ervisi më tha se një natë përpara kishte parë rreth 5 apo 6 persona të armatosur që kishin lëvizur përpara banesës së dajës së tij Marklenit. Ai tregoi se i kishte thënë dajës së tij për këtë gjë. Ndërsa Gusti më tha se në darkë (kur ndodhi ngjarja) kanë qenë tek banesa e Marklenit dhe është folur për personat që janë parë një natë më parë. Në atë moment Shpresa Basha e cila është halla e Marklenit dhe nëna e Ervisit ka dalë me elektrik për të parë vendin që personat kanë lëvizur një natë më parë. Egustiani tha se në momentin që Shpresa është afruar me elektrik drejt kanalit është qëlluar në drejtim të saj dhe Marklenit”.
Sikurse miqtë e tjerë të mbijetuarit të atentatit, as Deliu nuk foli për ndonjë problem apo konflikt që kishte Marklen Haka, ndonëse emri i tij edhe skeduar në dhjetëra ngjarje, ndërsa është shoqëruar disa herë në polici. Edhe pse i shpëtoi plumbave atë mbrëmje të 21 shtatorit 2019, Marklen Haka, nuk i shpëtoi dot problemeve me drejtësinë.
Ai u arrestua për herë të fundit në janar të vitit 2022, në një operacion të gjerë të forcave Renea në disa zona të Shqipërisë që përfshinte edhe Niklën, ku u gjetën armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Për çudi ai u lirua nga gjykata, por hetimet që po kryheshin për një ngjarje tjetër, sollën përpara hetuesve një pistë të mundshme për atentatin kundër tij. Në zonë shpjegojnë se ai dyshohet për një vrasje të kryer në Lezhë disa vite më parë. Për këtë, faktet tregojnë se familja e viktimës, kishte dyshime të forta e që të shuante këto dyshime mes tij dhe të afërmve të të vrarit nisën negociatat. Marklen Hakës iu kërkua përmes një ndërmjetësi që të përgjigjej sipas kanunit, që nuk kishte lidhje me krimin.
Si ndërmjetës ishte ngarkuar një kryeplak i një prej fshatrave të Niklës, por askush nuk e di me siguri, nëse Marklen Haka iu përgjigj familjes së viktimës, sipas Kanunit. Megjithatë, kjo përplasje mes tyre shihet si pista më e fortë që solli atentatin e mirëorganizuar ndonëse grupi kriminal prej 6 personash, nuk mundi ta ekzekutonte atë, por viktimë mbeti halla e tij. Një tjetër pistë janë përplasjet që grupet nga Nikla kanë me një grup në Durrës. Pavarësisht dyshimeve, deri më sot nuk ka asnjë të skeduar apo dyshuar për krimin.
Parë në dritën e fakteve, atentati ndaj Marklen Hakës, nxori edhe njëherë në pah, ashtu si edhe në ngjarje të tjera të ngjashme, lidhjet e krimit lokal dhe të rrethit vicioz të personazheve të cilët njëkohësisht rrotullohen dhe rikthehen, në ngjarje të ndryshme. Duke arritur të mbivendosin me axhendën e tyre edhe ato të fatkeqësive natyrore, apo edhe zyrtare. /Bw/