Hahn: Në tetor Maqedonia e Veriut do të marrë datën për hapjen e negociatave

schedule16:20 - 25 Korrik, 2019

schedule 16:20 - 25 Korrik, 2019

Gjatë vizitës së tij në Shkup komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Johanes Hahn, u shpreh i bindur se në tetor Maqedonia e Veriut do të marrë një datë të saktë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han në konferencë për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev njoftoi se Maqedonia e Veriut meriton që në tetor të fitojë dritë jeshile për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të BE-së për shkak, siç tha ai, të gjithë asaj që e ka bërë në vitet e kaluara në zbatimin e reformave, Marrëveshjes së Prespës, por edhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Han u takua me krerët e partive politike në vend.

Edhe një vizitë e komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn edhe një premtim.

“Jam shumë i bindur se në tetor do të kryhet. Nuk kam asnjë ndjenjë tjetër”.

Kësaj radhe, komisioneri kishte ardhur për ta lavdëruar ekzekutivin për punën e bërë, por edhe opozitën për qasjen konstruktive. Hahn ceku edhe vijat e kuqe në lidhje me Ligjin për prokurorinë publike, sipas të cilit Specialja duhet të inkorporohet në Prokurorinë e rregullt.

“Ka disa vija të kuqe për ne, dhe më lejoni të them se çdo zgjidhje e mundshme duhet ta ketë parasysh se nuk mund që në fazën e tranzicionit të Speciales, ndonjë rast të humbet.

Nuk mund të shkoj drejt pandëshkueshmërisë për shkak të transformimit të dhe humbjes së afateve kohore që dikush të mbetet i pa ndjekur penalisht.

Pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë, presim që sistemi të veproj në bazë të ligjeve”.

Hahn tha se si do që të jetë ligji e përcakton vet shteti, por për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të gjithë të jenë të njëjtë para ligjit. E kryeministri thotë se kjo edhe po ndodh në Maqedoninë e Veriut.

“Kemi raste konkrete të luftës kundër krimit dhe korrupsionit… Rasti “Zhvatja”, rasti kundër shitjes jo ligjore të shitjes së duhanit, rasti “Shkallët spanjolle” dhe të gjitha rastet tjera tregojnë se jemi në luftë të pakomromisë kundër krimit dhe korrupsionit, pa dallim se ku do të çojnë ato raste.

A do të na çojnë tek prokurorë, politikanë, pronar i medias apo ndonjë tjetër. Askush nuk mund të ikë nga ligji apo të jetë i amnistuar”.

Komisioneri Hahn, u takua edhe me kreun e opozitës, Mickoski, si dhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin.

Ahmetit nuk i pëlqen ideja që prokurorë ose gjykatës të sillen nga jashtë.

Komisioneri porositi qytetarët e vendit që mos ta shohim procesin integrues si humbje kohe.

Në realitet, ju nuk po humbni kohë, sepse atë që ju e realizoni tani do të na ndihmojë neve që të jemi më të shpejtë në procesin, tha ai. Bindjen e tij për marrjen e datës për hapje të bisedimeve e bazon edhe në deklaratat e fundit të Presidentit francez, Macron, por edhe të Kryetares të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të cilët janë të qartë rreth ardhmërisë së Ballkanit Perëndimor. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!