Hahn në Beograd: Në BE pasi të zgjidhni problemet me Kosovën

schedule20:45 - 7 Shkurt, 2018

schedule 20:45 - 7 Shkurt, 2018

Komisioneri Johannes Hahn i ka bërë të qartë Beogradit se për të arritur anëtarësimin në BE duhet të zgjidhë më parë çështjen e Kosovës. Nga ana e tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka lënë të kuptohet se problemi në fjalë do të zgjidhet me referendum.

Teksa ka vizituar këtë të mërkurë Beogradin, komisioneri europian për Fqinjësinë e Mirë, Johannes Hahn, ka deklaruar se shanset, që Ballkani të bëhet pjesë e familjes europiane janë më reale se kurrë. Sa i takon Serbisë, Hahn ka përcjellë mesazhin se vendi duhet të zgjidhë çështjet e hapura, sidomos atë të Kosovës, për të cilën është paralajmëruar një zgjidhje.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e ka krahasuar problemin në fjalë me Himalajet, por ngjitjen në malin Everest do t’ua lërë qytetarëve të Serbisë që ta vendosin me votën e tyre.

Aleksandër Vuçiç: “Ju mund të më pyesni a ekziston diçka tjetër që mund të zgjedhim? Nuk ekziston. Ky mal për t’u kaluar është çështja e Kosovës”.

Në këtë aspekt, komisioneri Hahn ka nënvizuar rëndësinë që ka dialogu dypalësh i ndërmjetësuar nga BE-ja, proces që sipas tij ka vend për përmirësime.

Johannes Hahn: “Mund t’ju them se rezultati pozitiv që rrjedh nga ky dialog është në interes edhe të Kosovës, për perspektivën evropiane të saj. Të gjithë duhet ta dinë se cilësia e marrëveshjeve është e rëndësishme, por nëse mund të kombinojmë shpejtësinë me cilësinë, kjo do të ishte e mrekullueshme”.

Hahn ka thënë më tej se vendet e Ballkanit kanë nevojë për burra shteti, të cilët duhet ta kthejnë çështjen e integrimit europian në prioritet kombëtar.

Ndërsa, Vuçiç nuk ka qenë i qartë kur është pyetur nëse për çështjen e Kosovës do të mbahet një referendum, por problemin e mbartur ndër vite e ka quajtur një faturë të papaguar nga e shkuara./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!