HAGA/ Refuzohet kërkesa e Thaçit për lirim të përkohshëm

schedule11:13 - 27 Janar, 2021

schedule 11:13 - 27 Janar, 2021

Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Hagës, Nicolas Guillou, e refuzoi kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për lirim të përkohshëm.

Thaçi ndodhet në objektet e paraburgimit në Hagë qysh në fillim të nëntorit, kur është arrestuar nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Mbrojtja e tij e ka paraqitur kërkesën për lirim të përkohshëm qysh më 4 dhjetor.

Në njoftimin e lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, refuzimi i kërkesës për lirimin e përkohshëm të Thaçit arsyetohet me Nenin 41(6)(b) të Ligjit.

Ky nen, mes tjerash, përfshin: rrezikun nga arratisja, rrezikun nga shkatërrimi, fshehja, ndryshimi ose falsifikimi i provave, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të gjithë ata ndodhen në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Përpara tyre është arrestuar dhe dërguar në Hagë edhe Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së. Aktakuza e ngarkon atë për kryerje të krimeve të luftës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!