Habib Nurmagomedov fiton një tjetër finale

schedule17:59 - 8 Shtator, 2019

schedule 17:59 - 8 Shtator, 2019

Rusi Habib Nur Magomedov arriti një tjetër fitore të madhe në karrierë. Kampioni i arteve të përziera marciale mund amerikanin Puarje, në ndeshjen e luajtur në Abu Dabi.

E quajti veten “mbreti i xhunglës” pas fitores ndaj Konor Mekgregorit, dhe e mbrojti këtë epitet edhe në rikthimin që bëri pas dënimit. Habib Nurmagomedov, një dagestanas i Rusisë, triumfoi ndaj rivalit të radhës, Dastin Puarie, në një spektakël që u zhvillua në një Arenë të Abu Dabit.

Kampioni i peshave të lehta tashmë ka 28 fitore dhe asnjë humbje, në karrierën e tij në oktagon. Në moshën 31-vjeçare është emri më i madh i Botërorit të UFC-së, ndonëse mendon se nuk po merr vlerësimin e merituar, ndonëse ka humbur vetëm një raund në gjithë jetën si luftëtar i arteve të përziera marciale.

“Ka diçka shumë interesante në këtë sport, – deklaroi ai pas fitores, – mund të kesh bilancin 28-0, mund të fitosh ndaj çdo kundërshtari, dhe sërish njerëzit thonë se “duhet të ndeshesh me këtë apo me atë”. Ju lutem, kërkoj prej jush vetëm respekt. Unë duhet të jem luftëtari numër 1 për të gjitha peshat, sepse unë i dominoj kundërshtarët, unë jam i pathyer. Meritoj respekt”.

Amerikani Puarie e përballoi ndeshjen deri në 3 raundin e tretë, duke arritur ta godiste disa herë rusin me grushtet e tij, por nuk mundi të përballonte specialitetin e kundërshtarit në mundje.

Plot 16.500 spektatorë në sallën e ishullit të Abu Dabit ishin me Nurmagomedovin, që është mysliman, dhe ka statusin e heroit në Lindjen e Mesme. Prej tij, shumë të rinj mbajnë në kokë një kokore të quajtur Papaha (Papakha), dhe sporti i tij është bërë popullor në vendet arabe.

Pas suksesit, Nurmagomedov pati vlerësim nga shumë kampionë, ndërsa irlandezi Konor Mekgregor e ftoi për një ndeshje të dytë, që duhet të luhet në Moskë. Pak muaj më parë, Nurmagomedovi u shpall kampion i botës në UFC pas fitores pikërisht ndaj Mekgregorit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!