Julian Nagelsmann është një nga surprizat më të bukura të trajningut gjerman. Vetëm 33 vjeç, por mbylli sezonin e katërt në Bundesligë. Ai po drejton me sukses Leipzig dhe të enjten do të tentojë të eliminojë Atletico Madrid dhe të dërgojë djemtë e tij në gjysmëfinalet e Champions League.
Para disa kohësh e kërkoi Real Madrid, por Nagelsmann refuzoi uljen në stolin e ekipit spanjoll. Një guxim i madh që mund ta bëjë vetëm një gjerman si ai. Talenti i pankinës rrëfen gjithçka për mikrofonat e Marca, aty ku lë të hapur mundësinë që një ditë të drejtojë në “Santiago Bernabeu”.
“Janë kryer disa telefonata mes meje dhe drejtuesve të Real Madrid, por në fund mendova dhe u binda që nuk do të ishte hapi i duhur për karrierën time. Refuzova edhe për shkak të gjuhës.
Komunikimi është shumë i rëndësishëm për mua. Sidoqoftë, ramë dakord që do të bisedonim sërish në të ardhmen, gjithmonë nëse Reali do të kishte nevojë për një trajner“, deklaron Nagelsmann. /abcnews.al