Guvernatori i Bankës së Shqipërisë raportoi në paralament rreth ecurisë së ekonomisë së vendit për vitin që lamë pas. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se viti 2017 është mbyllur me progres, ndërkohë që apëloi për avancim të reformave strukturore.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, iu foli deputetëve në Kuvend për progres në ekonomi dhe sistemin financiar. Gjatë prezantimit të raportit për vitin 2017, guvernatori renditi disa arsye.
“Vëllimi ekonomik u rrit me 3.8%. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike u mbështet nga rritja e konsumit, investimeve dhe eksportit. Zgjerimi ndihmoi rritjen në sektorin e shërbimeve dhe në degë të caktuara të sektorit të industrisë. U krijuan 79 mijë vende të reja pune dhe punësimi u nxit kryesisht nga sektori i shërbimeve”.
Pavarësisht rritjes, guvernatori shtoi se ekonomia po përballet me sfida.
“Inflacioni erdhi në rritje duke shënuar një nivel 2% nga 1.3% që ishte një vit më parë. Megjithatë, ky tregues vijon të mbetet nën objektiv, ndikuar edhe nga kursi i këmbimit”.
Për të ruajtur trendin pozitiv, kreu i Bankës së Shqipërisë i sugjeroi qeverisë dhe parlamentit avancimin e reformave.
“Në gjykimin tonë, reformat strukturore duhet të adresojnë në përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e informalitetit, përmirësimi e kuadrit ligjor, funksionimin e administratës publike, zgjerimi i tregjeve për produkte shqiptare, rritje e eficenës së ekonomisë shqiptare, përmirësimin e standardeve të administrimit të biznesit”.
Ndërkohë, treguesit e sistemit bankar, sipas guvernatorit, erdhën në përmirësim. Kreditë me probleme pesuan ulje me 5% krahasuar me vitin 2016, ndërkohë që është nxitur përdorimi i monedhës kombëtare pasi shkalla e lartë e euroizimit ekspozon ekonominë ndaj risqeve të kursit të këmbimit. Ndërkohë që një plan masash për këtë hyn në fuqi gjysmën e dytë të vitit./abcnews.al