Guvernatori i Uashingtonit shpall kandidaturën për President

schedule23:10 - 1 Mars, 2019

schedule 23:10 - 1 Mars, 2019

Nga radhët e demokratëve në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dalin figura për të sfiduar presidentin Trump në zgjedhjet e 2020-s. Kandidatura e radhës është ajo e guvernatorit të Uashingtonit, i cili si prioritet të fushatës së tij do të ketë ndryshimet e klimës.

Guvernatori i shtetit të Uashingtonit, Xhej Insli ka deklaruar të premten se do të kërkojë nominimin e partisë demokratike për të garuar për president në vitin 2020. Ai ka premtuar se nëse zgjidhet, fokusi i fushatës së tij do të jet çështja e ndryshimeve të klimës. Insli, 68 vjeç, është guvernatori i parë i demokratëve që kërkon shansin për të sfiduar presidentin Donald Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Do të garoj për president pasi jam kandidati i vetëm që do ta bëjë çështjen e ndryshimeve të klimës prioritetin numër një të vendit tonë”, deklaroi Insli në një fjalim të mbajtur të premten.

Në Siatëll, familjarë dhe mbështetës të tij u mblodhën në një garazh i pajisur me energji diellore për të ndjekur mesazhin e tij. hyrja në garë e Insli shkaktoi një reagim të shpejtë të republikanëve. Zëdhënësi Majkëll Ahrens deklaroi për agjencinë e lajmeve “Reuters” se Insli ka zero shanse për të fituar garën presidenciale.

“Fushata e tij vetëm sa do të detyrojë demokratët të përqafojnë politika më ekstreme të cilat do të sjellin humbje të vendeve të punës, rritje të çmimit të energjisë dhe dëmtim të klasës së mesme amerikane”, tha Ahrens. Ndonëse është një personazh më pak i njohur se kandidatët e tjerë nga demokratët si Berni Sanders, Elizabet Uorren dhe Kamala Herris, Insli gëzon një mbështetje të gjerë nga ambjentalistët, të cilët pritet ta ndihmojnë financiarisht./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!