“Gulf” 313 mijë euro detyrime edhe në Drejtorine e Tatimeve

schedule09:24 - 22 Prill, 2018

schedule 09:24 - 22 Prill, 2018

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve urdhëron mostjetërsimin e pasurive të Gulf, kompanisë që ka tregtuar naftë. 313 mijë euro është borxhi i kompanisë ndaj autoriteteve fiskale. Nga ana tjetër policia vijon të mbajë të bllokuar selinë qëndrore të firmës, pas dhjetra kallzimeve të depozituara ndaj saj, nga qytetarë të mashtruar me tollona nafte.

Drejtoria e Tatimeve ka lëshuar një urdhër ku kërkon mostjetërsimin e pronave të  shoqërisë Sun Petrolium Albania, e cila ka tregtuar në pikat e karburanteve naftë nën logon “Gulf”. Shoqëria rezulton debitore në shumën e 313 mijë euro ndaj adminsitratës tatimore për taksën e tvsh-së në masën e 190 mijë eurove, ndërsa po ashtu nuk ka paguar detyrime të tatimit në burim dhe kontrbuteve shqoërore.

Për këto arsye Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka vendosur edhe penalitete e ka dërguar shkresë për shlyerjen e debisë, por sërish firma nuk ka paguar asgjë.

Tatimet kërkojnë të mos lejohet tjetërsimi i pasurive të firmës Sun Petrolium, deri në vjeljen e detyrimeve të saj.

Por mashtrimi i firmës Gulf nuk ka ndodhur vetëm ndaj autoriteteve fiskale. Qindra qytetarë kanë blerë javët e fundit tollona naftë me çmime të lira, por sot kanë në dorë vetëm letra pa vlerë. Në mënyrë të mistershme kompania ka mbyllur të gjitha pikat e saj. Zyra qëndrore në Laprakë është bllokuar nga policia për shkak të dhjetra kallzimeve nga qytetarë e biznese të mashtruar me tollona që sot nuk kanë asnjë vlerë.

Disa pika të saj në kryeqytet sot janë shitur te një tjetër firmë që tregton karburant.

Sipas burimeve nga Policia, deri tani vlera e kallzimeve të bëra arrin shumën e 80 mijë eurove, ndërsa dyshohet që kompania të ketë tregtuar tollona në masën e 1 milion litrave. Administratori i karburanteve Gulf ka njoftuar dorëheqjen në bordin e aksionerëve që prej datës 9 prill të këtij viti, por edhe përgjatë kësaj periudhe firma ka vijuar të shesë tollona. Pronarët e vërtetë të kompanisë me firmën Universal Energy Group janë të panjohur, pasi shoqëria rezulton e regjistruar në ishujt Virxhin të njohura si parajsa fiskale. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!