Guardiola sfidohet nga “nxënësit”/ Manchester City mbetet pretendent për titullin në Premier League

schedule14:11 - 16 Gusht, 2024

schedule 14:11 - 16 Gusht, 2024

Ndryshon sezon, por parashikimet dhe statusi i Manchester City si pretendent mbetet i njëjtë edhe për edicionin 2024/2025 të Premier League.

Ashtu siç ka bërë në katër vitet e fundit, Pep Guardiola dhe skuadra e tij do të kërkojnë të mbrojnë sërish titullin e kampionit në Angli.

“Cityzens” kanë në krah të gjitha pritshmëritë, por duhet t’i konfirmojnë ato që në ndeshjen e javës së parë.

Manchester City debuton në një transfertë të vështirë si ajo e “Stanford Bridge” kundër Chelsea.

Blutë e Londrës kërkojnë të hedhin pas krahëve dështimin e sezonit të fundit dhe për këtë kanë bërë sërish ndryshime rrënjësore, duke ulur në pankinë Enzo Mareska, një prej “nxënësve” shembullorë të Pep Guardiolës.

Jo vetëm tekniku italian, pasi një tjetër ish-student i Pep do të kërkojë të sfidojë sërish dominimin e tij.

Bëhet fjalë për Mikel Arteta, që bashkë me Arsenalin e tij beson te e “treta e vërteta”, pasi në dy sezonet e fundit flirtuan me titullin, por e humbën vetëm në javët e fundit.

Për emrin dhe historinë Manchester Junajtid dhe Liverpool kanë gjithmonë në vend nderi në listën e pretendentëve.

“Djajtë e Kuq” mbajtën në pankinë Erik Ten Hag dhe I dhuruan trajnerit përforcimet që kërkonte për të tentuar titullin kampion.

Ndërkohë, pas tetë vitesh me Jurgen Klop, Liverpul nis një erë të re me trajnerin holandez Arne Slot, i cili pas suksesit me PSV Eindoven, duhet të tregojë se është në lartësinë e një “piace” të rëndësishme të futbollit anglez dhe europian siç është Liverpool./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!