Pep Guardiola mendon se skuadra e tij e ka në dorë fatin e saj, pas fitores në derbi. Mançester Siti është pranë titullit, ndërsa pati kritika të forta për Mançester Junajtidin.
Në raste të tilla duket se vendos dëshira më e madhe për të fituar.
Po ashtu, edhe niveli i skuadrës.
Pavarësisht se cili ishte objektivi i Mançester Junajtidit, kundërshtari I tij, Mançester Siti, rrezikonte një dështim të plotë të një sezoni, deri tani të jashtëzakonshëm.
Pas eleminimit të pafat nga Championsi, të besuarit e Pep Guardiolës mund të shpëtonin veten vetëm me një mënyrë, duke fituar titullin në Premier Ligë.
Nuk e kanë bërë ende, por pas sukseseve me Totenhemin dhe atij në “Old Traford”, kapërcyen dy pengesat më të vështira që kishin para vetes.
Me standardet e skuadrës, me investimet e skajshme të pronarëve, me një trajner si Guardiola në krye, ishte e qartë se Siti do të jepte edhe jetën për të marrë tri pikët në derbi.
E bëri dhe tani ndodhet në pozitën më të mirë të mundshme, siç thotë edhe trajneri katalanas.
“Pas kësaj fitoreje, titullin e kemi vetë në dorë, – tha Guardiola, – gabuam shumë në pjesën e parë, por pas pushimit ishim të pabesueshëm. Kemi rritur nivelin e kampionatit, pasi vjet fituam 100 pikë. Liverpuli, po ashtu, është treguar I jashtëzakonshëm. Nuk do të jetë e lehtë që të fitohen ndeshjet e mbetura, por do të bëjmë maksimumin”.
“Deili Ekspres”: Siti fundos Junajtidin! Djemtë e Pepit i afrohen lavdisë së titullit!
“Deili Star”: Shërben Silva dhe Siti ngryset në krye të renditjes!
“Deili Meil”: Junajtidi nuk ndalon dot Sitin që të kalojë Liverpulin dhe të ngjitet në krye të Premier Ligës. Bernardo dhe Sane shënojnë për fitoren në “Old Traford”.
Dy prej analistëve në “Skaj Sport”, ish-lojtarët e Mançester Junajtidit, Geri Nevil e Roi Kin, debatuan fort pas ndeshjes.
“Siti ishte dobët në gjysmë orën e parë të ndeshjes, – tha Nevil, – larg standardeve të tyre të larta për saktësinë dhe cilësinë e pasimeve. Junajtidi luajti një ndeshje të mirë, ishte maksimumi që mund të bënte. Sot për sot, ka diferencë shumë të madhe në klas mes dy ekipeve”.
Ish-kapiteni nuk ishte aspak dakord.
“Junajtidi pati vetëm një gjuajtje në portë, Geri, një gjuajtje në portë në një ndeshje të luajtur në shtëpi, – kundërshtoi irlandezi, – nuk jam dakord që lojtarët dhanë maksimumin. Fredi ishte një mashtrues që nuk vrapoi në rastin e golit të dytë. Sa për Pogbanë, nuk I besoj asnjë fjale që thotë, ai është një problem I madh”.
Trajneri i Mançester Junajtidit, Solskjer, pranoi kritikat e Kinit, dhe pohoi se skuadra e tij ka nevojë për lojtarë me karakter të fortë.
Kur duhen edhe 3 javë deri në mbyllje të kampionatit, Siti kryeson me 89 pikë ndaj 88 të Liverpulit, ndërsa Junajtid është tri pikë poshtë zonës Champions.